FOKUS – Rritet çmimi i naftës dhe arit pas sulmeve të SHBA-BM në Jemen

by admin
Spread the love

ANKARA, 12 janar /ATSH-AA/ – Çmimet e karburanteve dhe arit u rritën në hapje të tregtimit të së premtes, pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj objektivave ushtarake të lidhura me grupin rebel Houthi të Jemenit.

Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë ku tha se forcat amerikane dhe britanike nisën sulmet në përgjigje të sulmeve të Houthive kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Çmimet e naftës së papërpunuar Brent u rritën me 2,4 për qind, ose 2,10 dollarë, në 79.80 dollarë për fuçi.

Kontratat e gazit natyror u rritën me 2,1 për qind në 3.20 dollarë për një milion njësi termike britanike mes shqetësimeve për ndikimin në furnizimet me energji përmes ngushticës Bab al-Mandab.

Tensionet në Jemen çuan gjithashtu në rritje të kontratave të ardhshme të arit me 0,45 për qind, ose 8.60 dollarë, në 2.037 dollarë për ons.

Sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe erdhën si përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme me dronë dhe raketa nga grupi jemenas, i cili mbështetet nga Irani, në rrugët ndërkombëtare të anijeve në Detin e Kuq që filluan në nëntor si përgjigje ndaj luftës së Izraelit në Gaza.

Deti i Kuq është një rrugë ujore kritike për tregtinë ndërkombëtare, veçanërisht për dërgesat e naftës dhe karburantit, që lidh Kanalin e Suezit në Egjipt me Gjirin e Adenit nëpërmjet ngushticës Bab al-Mandab. Kanali i Suezit lejon anijet që vijnë nga Evropa të kalojnë tranzit drejt Azisë pa pasur nevojë të marrin rrugën shumë më të gjatë dhe më të kushtueshme rreth bririt jugor të Afrikës.

”Rebelet Houthi kanë kryer 27 sulme në Detin e Kuq që nga 19 nëntori, njoftoi dje ushtria amerikane.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like