OKB paralajmëron për masakër nëse Izraeli fillon sulmin tokësor në Rafah

by admin
Spread the love

LONDËR, 14 shkurt /ATSH/ – Një zyrtar i lartë i OKB-së ka paralajmëruar se një sulm izraelit në Rafah, qytetin më jugor të Gazës, mund të çojë në një “masakër”, sipas BBC.

Shefi i operacioneve humanitare, Martin Griffiths tha se palestinezët në Gaza po vuajnë tashmë një “sulm që është i pashembullt në intensitetin, brutalitetin dhe shtrirjen e tij”.

Pasojat e një pushtimi të Rafahut do të ishin “katastrofike”, tha ai.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se do t’i eliminojë militantët e armatosur të Hamasit që ai thotë se janë fshehur në qytet.

Në një deklaratë të formuluar jashtëzakonisht fort, Griffiths tha se mbi një milion njerëz ishin “në Rafah duke e parë vdekjen në sy”.

Ai tha se civilët në qytet kishin pak ushqim ose akses në ilaçe dhe “nuk kishte asnjë vend të sigurt për të shkuar”.

Një pushtim izraelit i qytetit, shtoi ai, “do të linte një operacion humanitar tashmë të brishtë në derën e vdekjes”.

Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres tha për programin ”Newshour” të BBC-së se OKB-ja nuk kishte marrë asnjë plan evakuimi të Rafah nga Izraeli dhe nuk do të merrte pjesë në asnjë evakuim të detyruar.

Stephane Dujarric tha se “Kombet e Bashkuara nuk do të jenë palë në asnjë zhvendosje të detyruar të njerëzve”.

Rafah është një qytet i vogël në jug të Rripit të Gazës në kufi me Egjiptin.

Para luftës ishte shtëpia e rreth 250 000 njerëzve, por që kur Izraeli urdhëroi civilët të evakuoheshin nga jugu, popullsia e tij është rritur në rreth 1,5 milionë.

Shumë prej tyre jetojnë në tenda në kushte të dëshpëruara dhe thonë se nuk kanë ku të shkojnë./ a.jor.

You may also like