FOKUS – Irlanda & Spanja: Ndëshkime ekonomike nëse Izraeli shkel detyrimet

by admin
Spread the love

LONDËR, 14 shkurt /ATSH-DPA/ – Kryeministri irlandez, Leo Varadkar dhe homologu i tij spanjoll, Pedro Sanchez i kanë shkruar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku shprehin shqetësimin e thellë për situatën e përkeqësuar në Gaza.

Në një letër të përbashkët, Varadkar dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez kërkuan një rishikim urgjent nëse Izraeli është në përputhje me detyrimet e tij për të drejtat e njeriut sipas Marrëveshjes Tregtare BE-Izrael.

Ata e përshkruajnë operacionin e zgjeruar ushtarak izraelit në zonën e Rafahut si një “kërcënim të rëndë dhe të afërt” me të cilin komuniteti ndërkombëtar duhet “të përballet urgjentisht”.

Ata i kanë kërkuar Komisionit që të propozojë masa që do të ndërmerren nga BE-ja nëse konsideron se Izraeli po shkel detyrimet e tij sipas Marrëveshjes Tregtare BE-Izrael.

Në letrën e publikuar sot, dy udhëheqësit kanë kërkuar një “shqyrtim urgjent” nëse Izraeli po përmbush apo jo detyrimet e tij.

”Në sfondin e rrezikut të një katastrofe edhe më të madhe humanitare të paraqitur nga kërcënimi i menjëhershëm i operacioneve ushtarake izraelite në Rafah… kërkojmë që Komisioni të ndërmarrë një rishikim urgjent nëse Izraeli është në përputhje me detyrimet e tij… dhe, nëse konsideron se ka shkelje, i propozon Këshillit masat e duhura për t’i marrë në konsideratë”, thuhet në letrën e tyre.

Varadkar dhe Sanchez iu referuan gjithashtu vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili kërkon që Izraeli të marrë “masa të menjëhershme dhe efektive” për të mundësuar ofrimin e shërbimeve bazë të nevojshme urgjentisht dhe ndihmës humanitare në Gaza.

Ata thanë gjithashtu se agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) duhet të lejohet të vazhdojë punën e saj në shpëtimin e jetëve dhe “adresimin e situatës katastrofike humanitare” në Gaza.

Letra vjen një ditë pasi Varadkar tha se Izraeli është verbëruar nga inati dhe nuk po dëgjon më as këshillat e aleates së tij të ngushtë, SHBA./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like