FOKUS – Gjermania po shqyrton mundësinë për të sjellë në vend të plagosurit nga Gaza

by admin
Spread the love

BERLIN, 8 janar /ATSH-AA/ – Qeveria e Gjermanisë po shqyrton mundësinë për të sjellë në vend të plagosurit nga Rripi i Gazës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sebastian Fischer në pyetjen e gazetarit të AA-së nëse të plagosurit në Gaza do të evakuohen apo jo në Gjermani, tha se “Vazhdojnë bisedimet ndërmjet ministrive lidhur me çështjen nëse do të pranohen apo jo të plagosurit dhe të sëmurët nga Gaza”.

Fischer rikujtoi se si Gjermani ata kanë dërguar në spitalet në Egjipt pajisje respiratorë dhe inkubatorë të cilët përdoren për të plagosurit e dërguar në Egjipt dhe kryesisht për trajtimin e fëmijëve.

“Egjiptit i kemi siguruar pajisje dhe produkte mjekësore në vlerë prej rreth 2 milionë euro dhe kemi ofruar ndihmë për të sëmurët dhe kryesisht për fëmijët dhe foshnjat e ardhur nga Gaza. Edhe Jordanisë i janë dërguar 400 mijë euro ndihmë për trajtimin e të plagosurve të ardhur nga Gaza. Këto fonde në të njëjtën kohë synojnë furnizimin me mjete mjekësore dhe pajisje të tjera për të sëmurët dhe kryesisht foshnjat dhe fëmijët e vegjël të ardhur nga Gaza”, tha Fischer.

Ai tha se ka reaguar në mënyrë shumë të qartë lidhur me deklaratat e ministrave izraelitë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir për “migrimin vullnetar të palestinezëve nga Rripi i Gazës”. “I qëndrojmë zgjidhjes mes dy shtete dhe jemi larg nga ndihma për këtë retorikë agresive. Gaza u përket palestinezëve, ata nuk duhet të zhvendosen me forcë nga Gaza. Në Gaza nuk duhet të ketë një pushtim të ri izraelit”, tha Fischer.

Sipas tij, Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes brenda kuadrit të ligjit ndërkombëtar. “Por, në të njëjtën kohë sigurisht që bëhet fjalë për një situatë katastrofike për popullatën civile. Shohim situatën e rëndë të popullatës civile në Gaza. Vazhdojmë të kërkojmë që të dërgohet më shumë ndihmë në Rripin e Gazës për të përmirësuar gjendjen e njerëzve, grave, fëmijëve dhe burrave që jetojnë aktualisht në kushte të papërshkrueshme atje”, tha Fischer.

Ai nënvizoi se kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar kanë shkelur ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit si dhe të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Lufta e Izraelit duhet të jetë kundër Hamasit e jo kundër popullatës civile”, potencoi Fischer duke tërhequr vëmendjen se edhe Izraeli në kuadër të kësaj ka përgjegjësinë që t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like