FOKUS – Franca: Kina t’i dërgojë një “mesazh të qartë” Moskës për luftën në Ukrainë

by admin
Spread the love

PEKIN, 1 prill /ATSH-ANSA/ -Ministri i Jashtëm francez Stéphane Séjourné, gjatë një vizite në Pekin, ku u takua me homologun e tij kinez, Wang Yi, tha se pret që Kina t’i dërgojë një “mesazh të qartë” Moskës për luftën në Ukrainë.

“Ne presim që Kina t’i dërgojë një mesazh shumë të qartë Rusisë”, tha Séjourné në një konferencë për shtyp pas takimit.

“Ne presim që Pekini të promovojë një ekuilibër të forcave më të favorshme për Ukrainën, pasi është e qartë se Kina luan një rol kyç në pavarësinë dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë sovranitetin e Ukrainës”, shtoi ai.

Kina është zyrtarisht neutrale në konfrontimin mes Moskës dhe Kievit, edhe nëse ka marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta me Rusinë, mbi të cilën ka ndikim: një mjet që duhet ta përdorë më pas për t’i dhënë fund konfliktit në Evropën Lindore, sipas Parisit dhe vendeve perëndimore.

“Lufta përfshin të gjithë komunitetin ndërkombëtar”, tha shefi i diplomacisë francize.

“Ne jemi të bindur se nuk do të ketë paqe të qëndrueshme nëse nuk negociohet me ukrainasit dhe se nuk do të ketë siguri për evropianët nëse nuk ka paqe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Për ne, kjo është një pikë thelbësore dhe kjo është arsyeja pse Franca është e vendosur të mbajë një dialog të ngushtë me Kinën”, theksoi ai.

“Franca nuk kërkon “shkëputje” ekonomike nga Kina”, tha ministri i Jashtëm francez.

Në të njëjtën kohë, Parisi aspiron për një “ribalancim ekonomik” me Pekinin, për të siguruar që tregtia të jetë e shëndetshme dhe e qëndrueshme”, tha Séjounrné në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegun e tij kinez.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like