FOKUS – Borell: BE do të miratojë paketë të re sanksionesh kundër Iranit

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 12 dhjetor /ATSH-AA/ – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell tha se do të miratojnë paketë të re sanksionesh shumë të ashpra kundër Iranit.

“Do të miratojmë paketë të re sanksionesh shumë të ashpra kundër Iranit”, deklaroi Borrell në hyrje të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së duke informuar se në rend dite janë sanksionet kundër Iranit dhe Rusisë.

Ai tha se më 9 dhjetor në mbrëmje zhvilloi një bisedë të gjatë telefonike me homologun e tij iranian në të cilën trajtuan furnizimin e Rusisë me armë nga Irani dhe ekzekutimin me vdekje të dy personave në ditët e fundit dhe se i ka përcjellë atij se BE-ja e dënon dhe është e shqetësuar nga kjo situatë.

“Irani duhet të kuptojë se BE-ja i dënon këto në mënyrë të fuqishme dhe se ndodhet pranë grave iraniane që mbështesin protestat paqësore”, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.

Në lidhje me ndërhyrjet ndaj protestave që u përhapën në mbarë vendin pas vdekjes së Mahsa Aminit, BE-ja më 17 tetor mori vendim për të zbatuar sanksione ndaj 11 individëve dhe 4 institucioneve iraniane ndërsa më 14 nëntor zbatimin e sanksioneve për 29 individë dhe 3 institucioneve iraniane.

Paketa e fundit e sanksioneve kundër Rusisë

Lidhur me paketën e 9-të të sanksioneve që Komisioni Evropian njoftoi më 7 dhjetor kundër Rusisë, Borrell tha se “ministrat e 27 vendeve anëtare kanë qasje të ndryshme”.

“Komisioni bëri vetëm propozimin. Ai që do të vendosë është Këshilli”, tha Borrell i cili shtoi se ende ministrat nuk kanë ndezur ‘dritën e gjelbër’ për paketën.

Borrell tha më tej se “Ndoshta ‘drita e gjelbër’ mund të vijë në fund të ditës, por ka ende çështje për të cilat duhet të arrihet dakordim”.

Propozimi për paketën e fundit përfshin shtimin në listën e sanksioneve të rreth 200 individëve dhe institucioneve si dhe të 3 bankave ruse, ndalimin e eksporteve të produkteve me përdorim të dyfishtë dhe ndalimin e investimeve në miniera.

Hetimi lidhur me Kailin, një nga zëvendëspresidentet e PE-së

”Lajmet janë kategorikisht shumë shqetësuese. Ndodhemi përballë disa ngjarjeve dhe të vërtetave. Si një nga ish-presidentët e PE-së me shqetëson jashtëzakonisht shumë. Nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së ose delegacionet nuk u bë referim ndaj askujt, nuk u prekëm. Ka proces policor dhe gjyqësor. Për këtë arsye duhet të veprojmë në përputhje me procesin edhe pse jemi shumë të shqetësuar lidhur me lajmin”, theksoi Borell./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like