FOKUS – 400 deputetë nga 28 vende bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza

by admin
Spread the love

BERLIN, 11 janar /ATSH-DPA/ – Pothuajse 400 deputetë nga 28 vende kanë nisur një apel për një armëpushim të menjëhershëm në luftën e Gazës.

Grupi përfshin edhe deputetin demokrat amerikan, Illhan Omar dhe ish-udhëheqësin e laburistëve britanikë, Jeremy Corbyn.

Në Gjermani, ish-politikania e ”Die Linke” (”E majta”) Sevim Dagdelen është pjesë e grupit.

Ajo iu bashkua partisë së sapoformuar ”Sahra Wagenknecht Alliance” (BSW), e cila përqendrohet rreth një ish-lidereje të ”Die Linke” me të njëjtin emër.

Apelit iu bashkuan edhe deputetë të tjerë nga SHBA dhe kryesisht vendet e BE-së, si dhe vende të tjera – nga Kanadaja në Gana dhe nga Kili në Turqi.

”Ne bashkohemi si ligjvënës nga e gjithë bota për të bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe shumëpalësh në Izrael dhe Palestinë, lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura izraelitë dhe ndërkombëtarë dhe lehtësimin e hyrjes së ndihmës humanitare në Gaza”, thuhet në apel.

“Ne i bëjmë thirrje më tej qeverive tona përkatëse dhe komunitetit ndërkombëtar që të mbështesin ligjin ndërkombëtar dhe të kërkojnë përgjegjësi për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, shtohet në të.

Zyra e Dagdelen njoftoi se parlamentarëve nga Evropa dhe Amerika e Veriut në veçanti iu kërkua të mbështesin apelin.

“Është një sinjal i fortë në favor të paqes dhe përfundimit të dhunës që kaq shumë përfaqësues të popullit kanë bashkuar forcat”, tha Dagdelen./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like