Finalja është Partizani – Flamurtari

by admin
Spread the love

Veprimtaria e dytë e futbollit të sallës, Kupa e Shqipërisë, ka përcaktuar edhe dy finalistet e këtij sezoni, teksa të martën në mbrëmje janë luajtur dy ndeshjet gjysmëfinaliste, që janë sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.

Fillimisht ka ardhur dueli i parë gjysmëfinalist, ai midis Vllaznisë dhe Partizanit, që ka rezultuar një festival i vërtetë golash, teksa janë shënuar plot 17, ndërsa ka patur edhe përmbysje dhe emocione deri në fund.

Ka qenë skuadra shkodrane që ka kryesuar 3 herë, në shifrat 3-2, por janë kryeqytetasit që përmbysin dhe shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me shifrat 4-3, e duke vijuar t’i thellojnë, ato në 8-3 apo 9-4.

Vllaznia do të reagojë deri në fund, duke e ngushtuar në një të vetëm hendekun e gola, por pa arritur sidoqoftë ta shmangë humbje, pasi Partizani e mbron fitoren me shifrat 9-8 dhe është në finalen e së dielës, aty ku përballë do të ketë Flamurtarin, që triumfoi në duelin e vështirë me kryesuesen e renditjes së kampionatit, Tiranën.

Në një sfidë mjaft të barazpeshuar, ishin vlonjatët që kaluan 3 herë në epërsi, por bardheblutë u kundërpërgjigjën po aq herë dhe vetëm goli i Nelajt në fund për Flamurtarin ishte ai që bëri dallimin midis dy skuadrave.

Flamurtari mund kështu Tiranën 4-3 dhe së bashku me Partizanin, do të diskutojnë midis tyre duelin për trofeun e Kupës së Shqipërisë.

You may also like