FFK dhe Ministria e Mbrojtjes kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi

by admin
Spread the love

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe Ministria e Mbrojtjes së Kosovës kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi pas një takimi të mbajtur në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Krerët e dy institucioneve, Agim Ademi i FFK-së dhe Ejup Maqedonci i Ministrisë së Mbrojtjes nënshkruan sot marrëveshjen, e cila ka për të koordinojë veprimet dhe të ndihmojë në realizimin e projekteve të rëndësishme për zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës së tij në Kosovë.

Një nga aspektet kryesore të këtij bashkëpunimi është donacioni i FSK-së për Kampin Nacional në Hajvali, i cili përfshin furnizimin me kontenjerë, shtylla për rrethojë, shtylla elektrike me reflektor dhe shtylla për vendosjen e flamujve.

Po ashtu, FSK do ta ndihmojë FFK-në në rregullimin e fushave ndihmëse në tërë territorin e Kosovës me mjetet e saj inxhinierike, në përputhje me kapacitetet e saj.

Në anën tjetër, FFK-ja do të japë ekspertizën e saj për mirëmbajtjen dhe rregullimin e fushave me bari natyral në kazermat e FSK-së, do të mbështesë FSK-në për zhvillimin e aktiviteteve sportive në kampet dhe fushat të cilat janë nën menaxhimin e saj si dhe do të mbështesë pjesëmarrjen e ekipeve të FSK-së në aktivitetet sportive të organizuara nga vetë federata.

“Ky Memorandum i Bashkëpunimit shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit të thellë mes dy institucioneve, duke ndihmuar kësisoj në përmirësimin e infrastrukturës sportive, por njëherësh edhe duke ndihmuar aktivitetet sportive të ushtarëve të Kosovës”, shkruante në komunikatën e FFK-së.

You may also like