Fermerët grekë në protestë me traktorë para parlamentit në Athinë (fotot)

by admin
Spread the love

Fermerët grekë kanë nisur të hyjnë sot me traktorë në Athinë për të protestuar para parlamentit të vendit kundër shtrëngimeve financiare të qeverisë dhe rritjes së kostove të prodhimit e të jetesës.

Rreth 200 traktorë të tjerë ishin në karvanin kryesor në Greqinë qendrore që avanconte drejt jugut, teksa shumë të tjerë pritej t’u bashkoheshin atyre nga zona të tjera të vendit.

Duke u rënë borive e duke valëvitur flamurë, karvani traktorëve me pankarta e flamurë proteste i afrohej Athinës nga veriperëndimi.

Përfaqësues fermerësh janë në negocjata me qeverinë e djathtë të Kyriakos Mitsotakis, por masat e ofruara deri tani janë shumë larg kërkesave të tyre, sipas përfaqësuesve grekë.

“Ne po vijmë në Athinë për një të ardhme më të mirë, për të ardhmen e të gjithëve,” tha fermeri Konstantinos Katselis.

Ndërsa Mitsotakis, tha dje në një intervistë televizive se nuk do të mbështesë reduktime taksore për fermerët dhe nuk kishte tolerime të tjera për të ofruar.

Qeveria ndërkohë është tërhequr nga kërcënimi i mëparshëm për ndalim të protestës, ndërsa policia ka ndihmuar vetëm në shmangien e bllokimeve të trafikut ne autostrada.

Zyrtarët paralajmëronin se protesta e fermerëve në Athinë mund të ndalojë shumicën e trafikut në kryeqytet.