Eskobar në Shkup: Përforcohet presioni diplomatik për ndryshimet Kushtetuese?

by admin
Spread the love

Zv/Ndihmësi sekretar shtetëror i SHBA-së, Gabriel Eskobar, gjatë qëndrimit dyditor në Shkup, do të realizojë takime me Presidentin Stevo Pendarovski, Kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskin.

Në vigjilje të vizitës së tij u ringjall narativi nga periudha para Marrëveshjes së Prespës, me vlerësime se sërish po aktivizohet e ashtuquajtura “artileria e rëndë diplomatike”, që duhet të bëjë kthesë rreth sigurimit të shumicës së domosdoshme prej 2/3 për ndryshimet kushtetuese.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Eskobari shpreson të ketë diskutime produktive.

“Eskobari udhëton në RMV për të biseduar për çështje dypalëshe dhe rajonale dhe të vazhdojë përforcimin e partneritetit tonë me aletatin e çmuar në NATO. Ai shpreson të ketë diskutime të përbashkëta produktive, veçanërisht lidhur me integrimin e ardhshëm në BE dhe prosperitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”, thonë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Vëmendja e opinionit në Maqedoni të Veriut është përqëndruar në takimin Mickoski – Eskobar, pasi VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga qëndrimi se nuk do të mbështesë ndryshime kushtetuese sipas diktatit bullgar.

Vizita e diplomatit amerikan vjen një javë pas nisjes së seancës parlamentare për ndryshimet kushtetuese, ku parashihet futja e Bullgarëve në Preambulë. Pa plotësimin e këtij kushti Maqedonia e Veriut nuk mund ta mbajë Konferencën e Dytë Ndërqeveritare dhe t`i vazhdojë negociatat me BE-në.

Ndryshe, pas miratimit të rendit të ditës me 70 vota “për” dhe përfundimit të diskutimeve, Kryeparlamentari Talat Xhaferi, anuloi votimin për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, deri në sigurimin e shumicës prej 2/3 të votave apo të 80 deputetëve.

You may also like