Ekuadori në gjendje të jashtëzakonshme! 13 të vdekur dhe 70 të arrestuar për shkak të dhunës nga bandat kriminale

by admin
Spread the love

Shkon në 13 numri i të vdekurve për shkak të dhunës së shkaktuar nga bandat kriminale në Ekuador, ndërsa 70 persona janë arrestuar deri më tani dhe ka disa të plagosur.

Viktimat janë kryesisht në provincën ekuadoriane të Guayaquil pas gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur nga presidenti Daniel Noboa.

Sipas gazetës El Diario, autoritetet ekuadoriane ende nuk japin shifra zyrtare për viktimat dhe dhunën, ndaj numri i publikuar në orët e fundit është përllogaritur bazuar në informacionin e publikuar nga burime të policisë apo administratës lokale. Megjithatë, dy vdekjeve në Nobol dhe tetë vdekjeve në Guayaquil të raportuara dje, iu shtuan edhe tre të tjera në lagjen Isla Trinitaria.

Ish-presidenti i Ekuadorit Rafael Correa ka mbështetur veprimin e qeverisë së Daniel Noboas, e angazhuar për të luftuar valën e dhunës në Ekuador. Në një video të publikuar përmes rrjeteve të tij sociale, Correa, i cili jeton në mërgim në Belgjikë për shkak se u godit nga një dënim për korrupsion të cilin e refuzoi, argumentoi se “vendi jeton në një makth të vërtetë, diçka e paimagjinueshme dhe që asm nuk mund të shkohej nëpër mend pak kohë më parë”.

Sipas Correa, dhuna dhe vrasjet e ndodhura së fundi janë “frut i shkatërrimit sistematik të shtetit të së drejtës, i gabimeve dhe urrejtjes së akumuluar gjatë shtatë viteve të fundit dhe që ne kemi qenë një nga viktimat kryesore”. Por sot, vazhdoi ai, “është koha e bashkimit kombëtar, sepse krimi i organizuar i ka shpallur luftë shtetit dhe shteti duhet të mbizotërojë dhe të fitojë”.

Asambleja Kombëtare e Ekuadorit shprehu gjithashtu mbështetjen e saj për forcat e armatosura dhe policore të vendit pas deklaratës së Presidentit Noboa për “konflikt të armatosur të brendshëm”, të motivuar nga trazirat e fundit të një grupi të armatosur i cili sulmoi një kanal televiziv në Guayaquil ditën e djeshme, por edhe disa nga sulmet e njëkohësishme në disa qytete.

Në një deklaratë publike, të nënshkruar nga përfaqësues të të gjitha partive, Parlamenti – i cili u evakuua dje për shkak të trazirave – saktësoi se mbështetja përfshin miratimin e faljeve dhe/ose amnistive në rastet e nevojshme për të garantuar punën e punonjësve për sigurinë publike.

Kongresi mbështeti gjithashtu aksionin e qeverisë për të rivendosur rendin dhe paqen në vend, si dhe bëri thirrje për identifikimin dhe ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për arratisjet nga burgu. Deputetët theksuan se po punojnë në unitet, pavarësisht rrymave të ndryshme politike dhe ideologjike që përfaqësojnë. “Situata aktuale kërkon bashkëpunim dhe kohezion. Ne jemi të përkushtuar që ta trajtojmë këtë sfidë në mënyrë të përgjegjshme dhe të përbashkët”, nënvizuan ata.

Guayaquil, një qytet port në Ekuador, është epiqendra e valës së dhunës. Viktimat, raporton kryebashkiaku Aquiles Alvarez në një konferencë për shtyp, u regjistruan gjatë disa sulmeve kundër popullatës civile dhe kundër policisë të regjistruara gjatë ditës. Një stacion policie u godit nga një sulm, ndërsa dy punonjës të sigurisë në një qendër tregtare u qëlluan për vdekje nga kriminelët për pengimin e hyrjes në ambientet e mbushura me njerëz. Në total janë arrestuar 14 persona.

Zonat e ndjeshme dhe burgjet janë të rrethuara nga forcat e armatosura. Presidenti Noboa shpalli dje gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të “konfliktit të armatosur të brendshëm” pas dhunës së përgjithësuar të kryer nga organizatat kriminale të trafikut të drogës.


Top Channel

You may also like