Eksperienca në Arsenal, largimi nga Londra dhe gjetja e “qetësisë” tek sensacioni Leverkusen, flet Granit Xhaka

by admin
Spread the love

Gjatë verës që shkoi, Granit Xhaka e bëri një ndryshim rrënjësor të jetës së tij, qoftë ajo private, ashtu edhe profesionale.

Ylli kosovar i futbollit vendosi të largohej nga Arsenali pas një kohe të gjatë dhe nga jeta në Londër për t’u rikthyer në Gjermani, ku kishte jetuar për një kohë derisa luante në Borussia Monchengladbach.

Përfaqësuesi zviceran e ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin britanik “The Athletic”, përmes së cilit ka folur gjerë e gjatë për përvojën dhe jetën e tij në Arsenal e në Londër, për vendimin për t’u larguar dhe për eksperiencën e re në Bayer Leverkusen dhe jetën e re në Gjermani.

Xhaka është bërë lider i padiskutueshëm i ekipit të trajnerit Xabi Alonso, me të cilin është bërë një makineri e fitoreve duke shkuar në 24 ndeshje pa humbje në të gjitha kompeticionet.

Ai po konsiderohet si “figurë kyçe”, “zemër e ekipit”, “strateg i mesfushës”, “lider në fushë dhe në dhomat e zhveshjes”, dhe “nivel tjetër i kualitetit”, në lojën e “Farmaceutikëve”.

Xhaka nuk e di nëse është duke e kaluar formën më të mirë të karrierës, por është i sigurt se ka ndryshuar për të mirë.

“Jam ndryshe”, thotë ai. “Mentaliteti im është komplet ndryshe. Jam shumë më i qetë. Shumë, shumë më i qetë. Ka më tepër qartësi dhe mendim në lojën time. E di se kur duhet ta shtyj kundërshtarin dhe se kur duhet të rrëzohem. E di kur duhet ta përshpejtoj lojën dhe kur duhet ta ngadalësoj atë”, vazhdoi futbollisti kosovar.

“Kur isha më i ri, merrja shumë kartonë të verdhë dhe të kuq, ishte e njëjta gjë në fillim kur nisa të luaja në Angli. Eksperienca të mëson që jo gjithmonë duhet të shkosh në një ndërhyrje të rrezikshme. Duhet të vazhdosh të vraposh me lojtarin, nuk duhet të shkosh ‘zhag’ çdoherë. Unë e kam bërë një hap të madh përpara në mënyrën se si menaxhoj ndeshjet”, u shpreh tutje Xhaka.

Ai ndihet mjaft i vlerësuar nga Leverkuseni, ndërsa i përmend trajnerin Alonso dhe drejtorin sportiv, Simon Rolfes, të dy ish-mesfushorë qendrorë, të cilët e kuptojnë lojën e tij.

31 vjeçari ishte takuar me ta në muajin mars, ndërsa aty ia kishin shprehur dëshirën për ta pasur në ekip nga sezoni 2023/24.

Ndërsa, më pas gjatë verës ai nënshkroi kontratë pesëvjeçare me klubin nga Bundesliga.

“Unë ndihem vërtetë i vlerësuar nga klubi. Ta ndjesh atë mbështetje dhe vërtetim që e ke bërë hapin e duhur, është mjaft e rëndësishme për mua. E dija se dëshiroja të vija këtu në momentin që kisha biseduar me Xabin e Simonin”, shton tutje Xhaka për “The Athletic”.

Ai zbulon se gruaja e tij, Leonita ishte njëra prej “timonëve” të këtij vendimi, edhe pse fillimisht kishte nevojë për t’u bindur.

“Të jem i sinqertë, ajo ishte kundër kësaj lëvizjeje. Jo kundër që të shkonim në Leverkusen, por kundër që të largoheshim nga Londra. Nëse jeton në Londër njëherë, dëshiron të qëndrosh aty, posaçërisht me familjen. Ne menduam shumë për këtë. ‘Çka do të bënim me shkollën?’; fëmijët janë lindur atje, ata kishin bërë shumë miq. Por, në fund ishte një vendim i lehtë, për gruan dhe për fëmijët e mi po ashtu, sepse ata e panë planin që na priste”, nënvizon futbollisti.

“Unë nuk erdha këtu të luaj me mendimin që të bëhem trajner apo menaxher. Jo për momentin, s’e kam mendjen atje. Erdha këtu për ta udhëhequr këtë ekip të ri falë eksperiencës sime në nivele të larta jashtë Gjermanisë”, shton Xhaka.

Ai e ka lavdëruar ekipin, që, sipas tij ka personalitete të larta, ndonëse disa lojtarë janë të rinj.

Mentaliteti, sipas Xhakës është i jashtëzakonshëm dhe se djemtë e rinj janë të dëgjueshëm dhe se duan të mësojnë gjëra dhe janë të kujdesshëm edhe jashtë fushës së blertë.

Tash kur i ka 31 vjet, ai po mundohet të jetë i kujdesshëm në fushën e blertë dhe ta japë maksimumin, sa herë që t’i jepet rasti, shkruan “Gazeta Express”.

“Unë punoj fort, por mbi të gjitha, në aspektin mental. Kjo është më e rëndësishmja. Ka momente kur je i lodhur, por i thua vetes se nuk ka diçka të tillë si lodhja. Duhet vetëm të fokusohesh në 90 minutash e radhës, pa marrë parasysh nëse do t’i luash 20,30 ndeshje radhazi”, thotë Xhaka, i cili i ka zhvilluar 121 ndeshje me Kombëtaren e Zvicrës.

“Ka dhimbje dhe lodhje. Unë e njoh trupin tim mjaft mirë, e di se si të kujdesem dhe se di të veproj. Unë flas edhe me departamentin mjekësor mjaft hapur për ato që më duhen dhe njerëzit përreth meje janë mjaft pozitivë në punën e tyre, njëjtë siç jam edhe unë. Kur gjërat shkojnë më pak mirë, ke nevojë për ato gjëra pozitive. Ato të japin fuqi”, shtoi përfaqësuesi zviceran.

Xhaka e kujtoi edhe periudhën kur punoi me trajnerin Mikel Arteta në Arsenal, i cili e kishte bërë edhe kapiten të ekipit.

Futbollisti kosovar gjithashtu e përmend faktin se trajneri spanjoll insistonte që ai të qëndronte në “Emirates Stadium”, por që në fund kishte vendosur të largohej nga Londra.

Paraprakisht, i kishte prishur punët me tifozët e Arsenalit, të cilët e kishin vërshëllyer atë dhe ai i kishte fyer, e për këtë po mendonte të largohej nga “Gunners”, por që ishte bindur nga trajneri Arteta të qëndronte.

You may also like