Edukimi mediatik është më shumë se sa thjesht pikasje e lajmeve të rreme

by admin
Spread the love

Së bashku me aromën e librave të vjetër dhe raftet e romaneve të modës në bibliotekën e shkollës së mesme South Brunswick, ka edhe udhëzues për deshifrimin e saktë të botës dixhitale.

Radhë posterash me këshilla për “Rrjetet e zgjuara sociale” dhe si duket “Qytetaria e mirë dixhitale” janë varur në këtë kampus të Nju Xhersit, ku bibliotekarja e shkollës Lisa Manganello e ka bërë misionin e saj t’i mësojë adoleshentët të lundrojnë në peizazhin e gjerë – shpeshherë qëllimisht konfuz, të informacioneve online.

“Edukimi mediatik nuk ka të bëjë absolutisht me cilën anë të debatit je”, thotë për CNN veterania 17-vjeçare e kësaj lënde akademike ende në zhvillim e sipër. “Dhe unë shpesh u them studentëve të mi, nuk më intereson nëse jeni konservatorë apo nëse jeni liberalë, kjo me të vërtetë nuk ka ndryshim për mua. Çfarëdo artikulli që zgjidhni, unë dua që ju të jeni në gjendje ta shikoni nga një lente kritike dhe të merrni vërtet një vendim, nëse ky është një artikull i besueshëm apo jo”, thotë Manganello. “Mund të keni një mendim nga secila palë, por duhet të jeni në gjendje ta vërtetoni atë mendim, me një artikull të bazuar në fakte.”

Edukimi mediatik është aftësia për të deshifruar mesazhet mediatike – duke përfshirë sistemet në të cilat ato ekzistojnë – si dhe të vlerësojë ndikimin e tyre në mendimet, ndjenjat dhe sjelljet, dhe të krijojë media me mendim dhe ndërgjegje, sipas Media Literacy Now, një grup avokues që gjurmon dhe drejton zbatimin e lëndës në shkollat K-12 në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Me shumë fëmijë që tani marrin lajmet nga mediat sociale – ku dezinformatat dhe përmbajtjet e krijuara nga inteligjenca artificiale janë të shfrenuara – 18 shtete kanë një formë të edukimit të shkrim-leximit mediatik K-12 në libra, sipas Media Literacy Now. Prej tyre, katër – Delaware, Teksas, Nju Xhersi dhe, duke filluar nga ky vit, Kalifornia – mandatojnë shkrim-leximin mediatik, me standardet e mësimit që tani hartohen shtet pas shteti.

Dezinformimi në internet, natyrisht, mund t’i drejtojë fëmijët jo vetëm drejt mesazheve që nuk janë të vërteta, por edhe drejt rreziqeve si bullizimi kibernetik, imazhi negativ i trupit dhe një rrugë drejt abuzimit me substancat. Dhe kështu ndikimi i mundshëm i të mësuarit të tyre se si të interpretojnë atë që shohin në internet mund të jetë asgjë më pak se sa “ndryshimi i jetës”, thotë Olga Polites, drejtuese seksionit të Nju Xhersit për Media Literacy Now.

Kur u shpikën makinat, për shembull, për sigurinë e automjeteve nuk flitej gjerësisht, rripat e sigurimit nuk ishin prioritet dhe të mësoje se si të ngisje ishte diçka krejtësisht e re, shton ajo.

“Telefonat celularë janë si makinat. Por ne nuk i kemi mësuar njerëzit se si t’i përdorin ato në mënyrë etike, efikase dhe të përgjegjshme.”

Për ta bërë këtë, një mësim i shkrim-leximit mediatik mund të përfshijë analizimin e emocioneve që ngjall formulimi i një titulli të medias. Ose analizimi i fotos që shkon krahas tekstit të një lajmi. Ose duke përdorur “leximin anësor” – duke rreshtuar histori për të njëjtën temë në skedat e shfletuesit, për të krahasuar besueshmërinë, qëllimin dhe paragjykimet – siç bëri Manganello disa javë më parë në Shkollën e Mesme South Brunswick.

Gërmimi thellë në tërheqjen emocionale të përmbajtjes

Me një sërë titujsh lajmesh të shfaqura në ekranin e vet të projektorit, bibliotekarja u kërkoi 25 studentëve në klasën e e mësuesit të historisë Jeff Johnson sa vijon:

“Më tregoni fjalë që shihni në këta tituj që mendoni se tregojnë njëanshmëri?”

“Hakmarrja,” tha shpejt një student, megjithëse me pak hezitim në zërin e tij.

“Ah, hakmarrje!” u përgjigj Manganello.

Grupi, “i armatosur” me laptopë personalë dhe të ulur në një tavolinë, vazhdoi të diskutonte: Cila mund të kishte qenë një fjalë më neutrale?

“Mendova se ishte shumë interesante të shihja se si e marrim informacionin dhe si e interpretojmë atë për shkak të asaj që (media po) na tregon, veçanërisht për pjesën ku flitej për zgjedhjen e fjalës që përdorin njerëzit dhe se si mund të ndikojë në mendimet tona,” tha më vonë nxënësi i klasës së nëntë, Harrison Pekosz për CNN.

Në shkollën fillore dhe të mesme, Harrison mësoi për identifikimin e burimeve legjitime të informacionit bazuar në një adresë në internet që përfundon me “.com” ose “.org”.

“Tani, është më e thellë dhe e di që ka më shumë për të parë sesa thjesht domain-in,” tha ai.

Shpejt, Manganello e zhvendosi mësimin te fotot dhe u kërkoi studentëve të identifikonin nëse një imazh i bashkangjitur një artikulli lajmesh ishte “i këndshëm, neutral apo jo i këndshëm”. Zgjedhja, tha ajo, mund të ndihmojë në përcaktimin nëse pjesa në tërësi është e besueshme – apo jo.

“Shkenca informative është ombrella për të gjitha gjërat që ne mësojmë në bibliotekë … për t’u siguruar që studentët kanë të gjitha mjetet që u nevojiten për të bërë mbledhjen e informacionit dhe për t’u angazhuar me mediat që mund të jenë në internet, media sociale, për kërkime etj”, tha Manganello. “Shkenca mediatike bie nën ombrellën edukimin informativ.”

Përtej bibliotekës, Manganello punon me mësuesit në Shkollën e Mesme South Brunswick gjatë gjithë vitit për të përfshirë njohuritë e informacionit në planet e tyre të mësimit, nga historia e artit deri te klasat e shkencës. Ajo gjithashtu flet në konferenca arsimore, ku të pranishmit i janë afruar për ta pyetur se si mund të fillojnë të zbatojnë punën e saj në shkollat e tyre.

Në kampusin e saj, qëllimi i Manganello është të takojë çdo student disa herë në vit, duke u fokusuar në një aftësi të re, çdo herë, gjatë katër viteve të tyre, tha ajo. Në fund, studentët kanë një grup mjetesh për t’u përdorur kur skanojnë titujt më të fundit – veçanërisht në internet.

Mediat sociale në vetvete nuk janë problemi

Akshara Satheesh dhe Urja Kandale, të dy nxënëse të klasës së nëntë në Shkollën e Mesme South Brunswick, marrin lajmet nga TikTok, Instagram, Snapchat ose burimi i Google News Discovery për shkak është e thjeshtë të kuptosh historitë, i thanë ata CNN.

Dhe nuk janë vetëm.

“Ne zbuluam se 75% e tyre i marrin informacionet nga mediat sociale, shumë nga TikTok,” tha Manganello për CNN.

Nuk është një statistikë e pakuptueshme, duke marrë parasysh një numër në rritje të përdoruesve të rritur të TikTok në SHBA, që raportojnë se marrin lajmet në platformën e videove të shkurtra, sipas të dhënave të vitit 2023 nga Qendra Kërkimore Pew.

Kjo në vetvete nuk është domosdoshmërisht një problem: Shumë agjenci lajmesh me reputacion ndajnë lajmet në platformat e mediave sociale.

Këtu është çështja: 96% e nxënësve të shkollave të mesme të pyetur në 2018 dhe 2019 nuk arritën të gjykojnë saktë besueshmërinë e një pjese të informacionit në internet, zbuloi studimi i Universitetit Stanford. Dhe dy të tretat nuk mund të bënin dallimin midis artikujve të lajmeve dhe reklamave në faqen kryesore të agjencisë amerikane të lajmeve.

“Studentët shfaqën një tendencë shqetësuese për të pranuar faqet e internetit pa i vënë aspak në dyshim”, shkruajnë autorët e studimit.

Në fakt, më shumë se 80% e nxënësve të shkollave të mesme disa vite më parë besonin se një reklamë e identifikuar me fjalët “përmbajtje e sponsorizuar” ishte lajm i vërtetë, zbuloi një sondazh i Stanford-it i publikuar në vitin 2016; disa studentë madje përmendën se ishte përmbajtje e sponsorizuar, por megjithatë besonin se ishte një artikull lajmesh.

Adoleshentët duhet të trajnohen përpara se të hyjnë në botën e mediave sociale. Aftësia e të rinjve për të arsyetuar rreth informacionit në internet mund të përmblidhet në një fjalë: e zymtë”, shkruan ata autorë.

Konfuzioni rrjedh – të paktën pjesërisht, thonë ekspertët – nga fakti se shumica e studentëve nuk po mësohen se si të përdorin masmedian në mënyrë kritike, sipas Media Literacy Now, në New Jersey.

Ne u kemi dhënë (adoleshentëve) kaq pak udhëzime. Dhe ka kaq shumë rrezik që të ndryshojë jetët e tyre.

Nga mësimi i Manganello-s, përpjekjet kryesore të Akshara dhe Urja përfshinin ngushtimin e fokusit të tyre në termat kyçe. “Kam bërë gjëra të tilla më parë,” tha Urja, “por nuk jemi thelluar.”

Marrja e informacionit “në një mënyrë më të zgjuar”

Ndërsa programi i Manganellos në Shkollën e Mesme South Brunswick është një model i shkëlqyer, ai për momentin është një përjashtim, thotë Michelle Ciulla Lipkin, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Kombëtare për Edukimin Mediatik.

“Ne po i bëjmë ligjvënësit që të ngulin këmbë dhe të thonë, ‘Duhet të shohim disa ndryshime në sistemin tonë arsimor’, por tani e vetmja pyetje që bëhet është, ‘nga vjen financimi?’”, thotë ajo. “Ku është mbështetja për mësuesit dhe zhvillimin e tyre profesional? Si po e integrojmë në të vërtetë këtë në kurrikulën tonë, në të gjithë shkollat, në një zonë të madhe, në të gjitha nivelet e klasave?’

“Dhe kjo është një bisedë shumë më e gjerë, më e ngadaltë, më sfiduese, sepse është e shtrenjtë dhe kërkon kohë.”

​ Guvernatori i Nju Xhersit firmosi vitin e kaluar një ligj që kërkon nga Departamenti i Arsimit të Shtetit të zhvillojë standardet e të mësuarit të studentëve në edukimin mbi informacionin. Dhe Kalifornia duke filluar nga ky vit kërkon që udhëzimet e edukimit mediatik të integrohen në kurrikulat e matematikës, shkencës dhe historisë dhe shkencave shoqërore K-12 kur ato të rishikohen, sipas projekt-ligjit.

Por marrja me shkrim e kornizave dhe mësimeve specifike për klasat mund të kërkojë disa drafte, madje edhe përpara se të kërkohet opinioni publik dhe propozimet e finalizuara t’u paraqiten drejtuesve të distrikteve, thotë Elisabeth Yucis, drejtoreshë e asociuar në Divizionin e Zhvillimit Profesional dhe Çështjeve të Arsimit në New Jersey Education Association, një sindikatë e arsimtarëve.

Në përgjithësi, procesi mund të zgjasë pak, tha ajo.

Ndërkohë, Johnson, mësuesi i historisë në South Brunswick, shpreson që në 10 vjet studentët e tij të jenë në gjendje të gjejnë qartësi në atë që mendojnë dhe thonë, për shkak të themeleve që Manganello po krijon për ta.

Johnson dëshiron që studentët e tij të mësojnë të thonë: “Prit një minutë, pse ndihem kështu? A e besoj këtë?”, tha ai. “Ose, ‘i thashë dikujt se diçka kishte ndodhur, por a e kontrollova nëse kjo ka ndodhur në të vërtetë apo se kjo është e rëndësishme për mua? Pse po them se është e rëndësishme?”

Dhe me të vërtetë, Harrison, nxënësi i klasës së nëntë, tashmë po mendon se sa të rëndësishme janë këto mësime për të ardhmen.

“Tani që ka më shumë njerëz që mbushin 18 vjeç dhe shumë prej tyre po marrin të gjithë informacionin e tyre nga mediat sociale … Unë mendoj se kjo do të ndikojë në mënyrën se si ata votojnë dhe do të ndikojë në gjithë vendin si rezultat,” tha ai.

Kjo është arsyeja pse Manganello ka shpenzuar gati dy dekada duke përsosur mënyrën se si ajo mëson edukimin mediatik.

“Këta janë fëmijë që do të dalin dhe do të bëjnë gjëra të shkëlqyera,” thotë bibliotekarja. “Ne kemi nevojë që ata të mendojnë se si e pranojnë informacionin në një mënyrë më të zgjuar, sepse mendoj se kjo do të ndryshojë mënyrën se si ne të gjithë e bëjmë.” (TruthHub – Bota.al)

Burimi: CNN

You may also like