Duka: Përmirësojnë infrastrukturën sportive për fëmijët

by admin
Spread the love

Në prag të festave të fundvitit, Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me kompaninë “Coca–Cola” ka organizuar një aktivitet të veçantë për banorët e Fshatit SOS në Tiranë.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Fshatit SOS dhe të pranishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka i shoqëruar nga Presidenti i kompanisë “Coca-Cola Bottling Albania” në Shqipëri, Luca Busi.

Bashkëpunimi i FSHF-së me kompaninë “Coca–Cola” është i hershëm, pasi më parë në Fshatin SOS është investuar në përmirësimin infrastrukturës sportive për fëmijët si dhe në pajisjen me bazë materiale për fëmijët në ndihmesë të zhvillimit të lojërave dhe seancave të ndryshme të aktiviteteve sportive.

Gjithashtu, këtë herë FSHF ka menduar të surprizojë fëmijët për festat e fundvitit duke u dhuruar nga një çantë me bazë materiale sportive.

Në prononcimin e dhënë gjatë kësaj vizite, Presidenti Duka falënderoi kompaninë Coca-Cola për bashkëpunimin e radhës dhe inkurajoi fëmijët që të merren më shumë me futboll.

“Nuk është hera e parë që jam në këtë institucion, që për mua siç e bisedova edhe me drejtuesit e Fshatit SOS është nga më të mirët në Shqipëri, që krijon kushte për fëmijët. Padyshim që dua të falënderoj drejtuesin e Coca – Cola, kompaninë për bashkëpunimin e përhershëm me FSHF-në. Projektet e FSHF-së jo vetëm me kompaninë Coca–Cola që edhe njëherë dua ta falënderoj, sepse është donatori kryesor i këtij projekti, por me të gjithë aktorët janë të vazhdueshme për të përmirësuar sa më shumë jetën tonë, në vendin tonë dhe pse jo nëpërmjet lojës së futbollit”, – tha Presidenti Duka, i cili më pas uroi fëmijët e Fshatit SOS dhe gjithashtu të gjithë fëmijët e Shqipërisë për një vit 2024 sa më të mbarë dhe me shëndet të plotë.

“Është fillimi i festave të fundvitit dhe jam i lumtur që sot jam këtu. Ju uroj juve dhe nëpërmjet jush të gjithë fëmijët në Shqipëri, Gëzuar Festat ! Të presim një vit 2024 sa më të mbarë, sa më të shëndetshëm dhe sa më shumë gjëra të mira dhe të bukura për ju dhe për të gjithë fëmijët e Shqipërisë.

Ju falënderoj që jeni këtu sot me ne, falënderoj stafin kujdestar që ka organizuar këtë festë dhe gjithashtu administratën e FSHF-së. Ju uroj të gjithëve Gëzuar Vitin e RI dhe një vit 2024 sa më të mirë dhe sa më të bukur”, – përfundoi Presidenti i FSHF-së.

Presidenti i kompanisë “Coca-Cola Bottling” në Shqipëri, Luca Busi nga ana e tij vlerësoi vazhdimësinë e bashkëpunimit me FSHF-në.

“Për ne është shumë e rëndësishme të jemi sot këtu dhe të flasim për sport. Ne jemi shumë krenar që kemi mundur të dhurojmë sadopak për të krijuar këtë fushë sportive dhe të transmetojmë këtë kënaqësi te fëmijët. Kjo është një vazhdimësi e aktivitetit në bashkëpunim me FSHF-në”, – tha Luca Busi.

Bashkëpunimi me të gjithë partnerët, aktorët dhe institucionet për të mbështetur fëmijët dhe për t’i afruar sa më shumë ato me futbollin është një prioritet i rëndësishëm për FSHF.

You may also like