Dugolli për dyshimet për plagjiat: Është konstatim i ORCA-s, i keshti të kesh (VIDEO)

by admin
Spread the love

Profesori universitar, Bujar Dugolli, ka folur rreth çështjes që ai po akuzohet se në një punim shkencor ka bërë plagjiaturë.

Sipas tij, ky është një konstatim i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ku përdori edhe fjali popullore, duke thënë se “i keshti të kesh”.

Ai akuzoi kreun e kësaj organizate, Rron Gjinovci, duke thënë se po e shantazhon Universitetin e Prishtinës dhe financohet me para të dyshimta për të krijuar imazh të keq ndaj UP-së dhe stafit akademik.

Për artikullin që është konstatuar nga Këshilli i Etikës në UP se është plagjiaturë, Dugolli tha se është artikull jo i mirëfilltë shkencor, dhe karakteri dhe natyra e artikujve “review”, sipas tij, është ndryshe nga ata shkencorë pasi shkalla e ngjashmërisë dallon me njëri-tjetrin.

“Këshilli i Etikës ka konstatuar një shkelje procedurave, edhe pse unë s’pajtohem me të. Unë e kam dhënë një sqarim në lidhje me këtë. Ata s’e kanë marrë për bazë shkresat e lëndës, as kontrollin e një platforme tjetër që merret me kontrollin e plagjiatëve dhe programet kompjuterike ngjajnë dhe evidentojnë atë që quhet ngjashmërinë dhe s’konstatojnë nëse është plagjiat apo jo”, është shprehur Dugolli në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Dugolli tutje tha se Këshilli i Etikës s’ka bërë analizë profesionale, por ka rënë nën ndikimin e organizatës ORCA dhe rektorit aktual.

“Ai u ka propozuar dhe i ka përzgjedhur dhe nuk është rasti i vetëm që ka ndërhyrë në punën e tyre. Po të ishte profesional, ai do t’i merrte në konsideratë sqarimet që i kam dhënë unë”.

“Ne nuk kemi parë një grup profesional që është marrë me këto konstatime e të thotë se është shkelur kjo drejtë e autorit. Kur kemi të bëjmë me recensionet, në rast se unë e bëjë një të tillë me një libër, atëherë ngjashmëria e temës që e diskutoj në atë recension do të jetë 70 apo 80 për qind e ngjashme”, është shprehur Dugolli, njofton Klankosova.tv.

Për vendimin e Këshillit të Etikës, i cili thotë se artikulli në fjalë në bazë të së cilit janë ngritur në pozitë Bujar Dugolli e Ardian Kastrati, i pari thotë se s’pajtohet me të, pasi sipas tij, ia ka bërë qefin rektorit dhe organizatës ORCA.

“Këshillin e Etikës e mbikëqyr Senati, dhe kam paralajmëruar se do ta apeloj sepse është i papranueshëm ai vlerësim i tillë. Unë, Senatin që e udhëheq rektori aktual nuk i besoj, sepse ai ndërhyn dhe unë do të shikoj edhe instanca të veprimit lidhur me këtë rast, por s’do ta lejoj që as të fyhet integriteti im akademik e as që të ndërhyhet me metoda të tilla të kryqëzimit  për interesa personale dhe interesa biznesore”, është shprehur Dugolli, njofton Klankosova.tv.

 

You may also like