Dueli i peshave të rënda, Turam “luftë” Lukakut. Gjigantët e sulmit sfidojnë njëri-tjetrin në distancë

by admin
Spread the love

Dukej gjithçka e kryer, në fakt ishte gjithçka e kryer sipas protagonistëve të asaj tratative. Romelu Lukaku do të rikthehej tek Interi për të formuar dyshen e titullit kampion që shënoi 41 gola. Por tek Interi, në vend të Xhekos u transferua një tjetër gjigant si Turam.

Nga një dyshe, në një trio: Lukaku, Lautaro dhe Turam. Interistët po ëndërronin me sy hapur. Por të gjithë e dimë se si shkoi historia me Lukakun, i cili u hodh në krahët e Murinjos pasi të gjithë e braktisën. Kur vuri këmbën për herë të parë në rikthimin e tij në “San Siro”, u mbyt me vërshëllima. Por Inzagi nuk u dëshpërua në fillim të sezonit. Duke u nisur nga një “humbje” (ajo e belgut) krijoi një tjetër dyshe perfekte. Sot, Markus Turam është një nga goditjet e merkatos së verës dhe ndoshta është e vështirë të mendohet i njëjti rendiment i Lukakut. Turam dhe Lautaro kanë arritur të shënojnë 27 gola në 22 ndeshje, ndërkohë që i treti (Arnautoviç) nuk është në lartësinë e duhur. Të njëjtën kuotë golash kishin shënuar së bashku edhe Lautaro me Lukakun (27) në vitin e titullit kampion.

FATI ËSHTË LAUTARO – Lukaku dhe Turam kanë pasur të njëjtin ndikim tek Interi, por edhe të njëjtin fat: prezencën e Lautaro Martinezit. Sulmuesi që është i aftë të nxjerrë në pah të gjitha vlerat e shokëve të repartit. Kur ishte belgu, Lautaro bënte sulmuesin e dytë, ndërsa me francezin i bën të dyja rolet. Madhështia e këtij sulmuesi qëndron në faktin që përveçse shënon shpesh dhe gjithmonë, i bën edhe të tjerët të shënojnë. Kjo u tregua edhe në faktin që Lukaku dështoi te Çelsi dhe tani me Dibalën nuk po funksionon ashtu siç duhet.

SHIFRAT E GJIGANTËVE- Edhe numrat i afrojnë Romelun me Markusin. Belgu ka shënuar 9 gola, ndërkohë që francezi 8 edhe pse ka luajtur pak më pak. Por e parakalon në numrin e asisteve që janë 7 në favor të zikaltrit dhe 1 të Lukakut. Një tjetër pikë interesante e Lautaros kjo, që në vitin e titullit shkëmbeu me Lukakun 10 asiste. Në këtë kampionat, janë 7 asiste për Turamin dhe 4 për “Demin”. Lukaku dhe Turam janë dy “bisha”. 191 centimetra i gjatë dhe 94 kilogramë sulmuesi i Romës, 192 centimetra dhe 90 kilogramë ai i Interit. Nuk është aspak e lehtë t’i spostosh dhe këtë po e vuajnë mbrojtësit italianë.

Në shkëputjen e parë është më i shpejtë francezi, por në progresion mund të jetë më i fortë belgu. Në aspektin teknik asnjëri prej tyre nuk është i niveleve të frikshme, por në zonën e rreptësisë janë të ngjashëm. Mbi Lukakun mund të mbështesësh lojën, por mbi Turamin mund të mbështesësh kundërsulmin. Sot pasdite Roma-Inter do të jetë edhe një sfidë mes tyre, ose më mirë mes të katërve. Lukaku me Dibalën dhe Turam me Lautaron. Belgu ka dëshirën e hakmarrjes, francezi të vazhdojë rrugëtimin pozitiv që ka nisur me fanellën zikaltër.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

You may also like