Drejtuesit e FFK-së, priten në Ambasadën e Kosovës në Budapest

by admin
Spread the love

Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), presidenti Agim Ademi dhe nënkryetari Bakir Burri kanë qëndruar për vizitë zyrtare në ambasadën e Republikës së Kosovës në Budapest, ka njoftuar FFK-ja të hënën.

Ademi e Burri janë pritur nga Naser Idrizi, ministër këshilltar në ambasadë. Kreu i FFK-së, Ademi ka shpalosur detajet nga qëndrimi dhe mikpritja e mirë e ekspeditës së Kombëtares në Budapest, por edhe për proceset zhvillimore të institucionit që ai e drejton. Gjithashtu, Ademi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me përfaqësitë diplomatike të Kosovës në promovimin e sportit dhe imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Në anën tjetër, Naser Idrizi, ka shprehur kënaqësinë për vizitën e delegacionit të FFK-së dhe ka siguruar mbështetjen e plotë të ambasadës në të gjitha aktivitetet sportive të Kosovës në Hungari. Ai ua ka përcjell krerëve të FFK-së përshëndetjet e gjithë personelit të ambasadës, si dhe ka uruar që Kombëtarja e Kosovës të ketë paraqitje dinjitoze në ndeshjen e nesërme kundër Hungarisë në stadiumin “Puskas Arena”.

Në fund, presidenti Ademi për mikpritësin ka dhuruar edhe fanellën e Kombëtares si dhe simbolin e “Hyjneshës në Fron”.

You may also like