DnV: Zgjedhjet në veri nuk garantojnë legjitimitet politik

by admin
Spread the love

“Demokracia në Veprim” përmes ekipeve mobile ka vëzhguar sot procesin zgjedhor në katër komunat veriore të vendit, Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Në njoftimin e DnV-ës thuhet se vëzhguesit kanë vizituar pothuajse të gjitha qendrat e votimit të hapura në këtë pjesë.

DnV thotë se refuzimi i subjekteve politike nga komuniteti serb për të marrë pjesë në zgjedhje, si dhe tërheqja e kandidaturave pas certifikimit nga KQZ, ka rezultuar me bojkotim të zgjedhjeve nga ana e votuesve të komunitetit serb në këtë pjesë.

“Në këtë drejtim, rol kanë luajtur edhe thirrjet dhe kërkesat e vazhdueshme të Listës Serbe për mospjesëmarrje në zgjedhje të votuesve serb”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sa i përket administrimit të zgjedhjeve,DnV deklaron se është vërejtur një improvizim i procesit zgjedhor, duke nisur nga zhvillimi i zgjedhjeve në kontejnerë, që kanë zëvendësuar rreth 70% të qendrave të zakonshme të votimit.

“Qendrat e improvizuara të votimit kanë qenë të vendosura përgjatë rrugëve magjistrale, larg zonave të banuara, duke qenë kësisoj vështirë të arritshme nga votuesit potencial. Gjithashtu, shumica e vendvotimeve kanë qenë të fuzionuara në qendra alternative të votimit, ku numri i votuesve të regjistruar për qendër ka arritur deri në rreth 6 mijë sosh”, thuhet në njoftim.

DnV, tutje deklaron se: “ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to”.

You may also like