Digjitalizimi është njëra nga shtyllat kryesore të qeverisë – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marr pjesë në lansimin zyrtar të Sistemit për Hartimin e Legjislacionit (LDS), organizuar nga Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti tha se digjitalizimi është njëra nga shtyllat kryesore të qeverisë, duke shtuar se me lansimin e LDS-së është arritur një transformim i rëndësishëm i transformimit digjital.

“Digjitalizimi është njëra nga shtyllat kryesore të planit tonë qeverisës. Jemi zotuar të ngrisim efikasitetin dhe transparencën e administratës publike e me këtë edhe të shërbimeve qeveritare. Gëzohem që sot po e lansojmë Sistemit për Hartimin e Legjislacionit (LDS) si një të arritur të rëndësishëm në kuadër të transformimit digjital” tha Kurti.

“Sistemi për hartimin e legjislacionit shërben si platformë hartuese që u mundëson zyrtarëve publike të hartojnë legjislacionin direkt në sistem. Si rezultat, palët e interesuara do të kursejnë kohë pasi procedimi tutje i dokumenteve bëhet automatikisht nga sistemi. Gjithashtu, procesi i përafrimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së përfiton nga ky sistem sepse tabela e përputhshmërisë me Acquis hartohet drejtpërdrejtë në sistem. Po ashtu, sistemi mundëson që mangësitë e mëparshme siç janë: problemet teknike me formatizimin e projekt akteve ligjore dhe akteve nënligjore dhe tabelave të përputhshmërisë me Acquis, të eliminohen. Kjo arrihet përmes mundësisë teknike që ofron sistemi.

Me digjitalizimin që është i ndërlidhur ngushtë me reformën dhe modernizimin e administratës publike do të krijohen shërbime elektronike të cilët e kanë në qendër  qytetarin.

E në qëllim të fuqizimit të qasjes në drejtësi për qytetarin, duhet të flasim për digjitalizim të të gjitha shërbimeve të sistemit të drejtësisë, duke theksuar ato të gjykatave dhe të prokurorive. Qasja elektronike në dosje të lëndës, caktimi i seancave gjyqësore, arsyen e shtyrjes së seancave, vendimet e gjykatës, do të ngrisin  transparencën e llogaridhënien aq të nevojshme brenda sistemit aktual të drejtësisë në vendin tonë.

Sistemi që inaugurojmë sot do ndikojë në rritjen e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndër institucional dhe do sigurojë gjithëpërfshirje gjatë procesit të përgatitjes së legjislacionit. Duke pasur statistika dhe të dhëna në kohë reale për statusin aktual të projektligjeve apo projekteve të akteve nënligjore, institucionet tona do të kenë mundësi të veprojnë në mënyrë më efikase në realizimin e planit legjislativ.

Për më tepër, sistemi LDS ofron statistika për planin legjislativ edhe për publikun e gjerë dhe në këtë mënyrë ndihmon edhe në rritjen e transparencës dhe të llogaridhënies në qeverisje.

Në shtator ne e patëm miratuar në Qeveri programin e ri për parandalimin dhe zvogëlimin e barrës administrative. Ky program, së bashku me strategjinë e reformës së administratës publike – e cila tashmë është finalizuar, dhe strategjinë e e-qeverisjes – e cila është duke u hartuar – do të ofrojë kornizën strategjike për digjitalizimin në qeveri.

Paralelisht me qasjen strategjike, në vazhdimësi jemi duke punuar në digjitalizimin e disa prej shërbimeve kyçe dhe më të përdorura për qytetarët dhe për bizneset tona. Pas lansimit të pagesave elektronike për shërbimet qeveritare, certifikatave të digjitalizuara të gjendjes civile dhe të digjitalizimit të disa hapave për vazhdimin e regjistrimit të veturave, para dy javëve lansuam edhe certifikatën e digjitalizuar të pronës.

Një iniciativë e rëndësishme që e kemi filluar rishtas është pilot-projekti i cili do të krijojë ndërlidhjen ndërmjet qytetarëve dhe adresave. Kjo nismë do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ekzistuese, por edhe krijimin e shërbimeve të reja, jo vetëm në sektorin publik.

Përtej digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, për rritjen e cilësisë dhe efikasitetit të qeverisjes po aq i rëndësishëm është edhe digjitalizimi i proceseve të brendshme të qeverisë, pra këtu tek ne. Jo vetëm çka ofrojmë për qytetarët, por edhe si ia bëjmë me veten tonë. E një nga proceset e brendshme kyçe është pikërisht ai i hartimit të legjislacionit.  

Sistemi LDS, që po e lansojmë sot, ofron zgjidhje inovative për digjitalizimin e tërë ciklit të hartimit të legjislacionit primar dhe sekondar, nga faza e përfshirjes në planin legjislativ deri në miratimin e tyre në organet përgjegjëse qeveritare. Përmes këtij sistemi, digjitalizohet edhe hartimi i tabelave të përputhshmërisë dhe opinionit të përputhshmërisë me Acquis – që e ndihmon dhe e bën më efikas procesin e përafrimit të legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian.

Dua të falënderoj Zyrën Ligjore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit për zhvillimin e sistemit LDS, dhe në veçanti e falënderoj Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) për mbështetjen në realizimin e këtij projekti.

Lexo lajme interesante

You may also like