PEKIN – Wang: Rriten ‘faktorët negativë’ në marrëdhëniet me SHBA-në

by admin
Spread the love

PEKIN, 26 prill /ATSH-DPA/- Në ditën e fundit të vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Kinë, Pekini ka paralajmëruar një përkeqësim të marrëdhënieve mes dy fuqive.

“Edhe pse të dy palët po bisedojnë sërish me njëra-tjetrën, “faktorët negativë” në marrëdhënien midis SHBA-së dhe Kinës janë rritur”, tha dje kryediplomati kinez Wang Yi, në Pekin.

Wang theksoi të drejtën e Kinës për t’u zhvilluar duke përmendur “shtypjen e paarsyeshme” si një nga arsyet. Sipas tij, të dy vendet përballen me pyetjen nëse marrëdhëniet e tyre ose do të stabilizohen ose do të shkojnë drejt një spiraleje në rënie.

Sipas raporteve të mediave amerikane, Blinken tha se ishte bërë progres në disa fusha për të mbyllur hendekun midis dy vendeve. Megjithatë, ai donte të shprehte qartë dhe drejtpërdrejt çështjet për të cilat kishte mosmarrëveshje mendimesh me Kinën.

“Gjatë bisedimeve me sekretarin e Partisë të Shangait, Chen Jining, Blinken trajtoi pikat e mosmarrëveshjeve me Kinën në lidhje me praktikat e padrejta tregtare”, thanë raportet e shtypit amerikan.

Gjatë vizitës së tij treditore në Kinë, Blinken u takua gjithashtu me studentë dhe përfaqësues të biznesit amerikan në Shangai.

Pas një viti heshtjeje të plotë radiofonike, presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, u takuan personalisht nëntorin e kaluar pranë San Franciskos për të stabilizuar marrëdhëniet e tensionuara.

Megjithatë, që atëherë, mosmarrëveshjet e reja mbi çështjet politike dhe ekonomike kanë vazhduar të vlojnë.

Kina është e zemëruar për sanksionet e SHBA-së në sektorin e teknologjisë, kundër kompanive kineze që furnizojnë komponentë që mund të përdoren në makinerinë e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Uashingtoni është i shqetësuar për ndikimin kinez dhe së fundmi miratoi një ligj për të detyruar kompaninë kineze “ByteDance” të heqë dorë nga platforma e saj TikTok në SHBA.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like