Dhjetë vite “K’tu Fest” – artistët e artdashësit shqiptarë mblidhen në Strugë – Shqip

by admin
Spread the love

“Çdo rrugë të çon në Strugë” – motoja tradicionale e festivalit

“Prej sot, në 5 ditët e ardhshme, Struga do të jetë qendra e artistëve dhe artdashësve shqiptarë. Me moton ‘Çdo rrugë të çon në Strugë’, fillon edicioni dhjetë i Festivalit Ndërkombëtar Artistik ‘K’tu Fest’. Olsa dhe Xheladin Poshka, organizatorët dhe themeluesit e Teatrit Poshka dhe këtij festivali, për Klan Maqedoni tregojnë se çka e bën të veçantë këtë edicion në dekadën e tij”, raporton gazetari i KlanM nga Struga, Albrim Hoxha.

“Fakti që është në dhjetëvjetorin e tij se të mbijetosh në kohën e facebookut, instagramit, snapchatit, është me të vërtetë heroike. Sidomos në këto vendet ballkanike ku janë dramat shumë të forta edhe thuhet që sa më të varfër janë njerëzit, aq më të forta janë këto dramat qeveritare, politike e ku di unë. Dhe fakti që një vend me ngarkesë ndëretnike siç është Maqedonia, një festival të mbijetojë dhe të mbështetet, e bën shumë të veçantë këtë K’tu Fest në dekadën e tij… Është një festival i mirë që, që i jep Strugës një injeksion shumë të fortë nga ana turistike. Kultura dhe turizmi kanë filluar prej kohësh në fakt, kështu është bërë Festivali i Kanës, kështu bëhet Pri Festi në Kosovë, kështu shpresojmë që dalëngadalë edhe Strugën ta çojmë në ato nivele”, thotë për KlanM, drejtorja dhe themeluesja e K’tu Fest, Olsa Poshka.

Në natën e parë të K’tu Fest do të shfaqet filmi “Sofia” i Eduart Grishajt. Ndërkaq në netët tjera janë paraparë shfaqje e premierës së filmit dokumentar “Rikard” nga Mevlan Shanaj në kujtim të Rikard Larjës, më tej, shfaqja “Arbri” nga regjisori Lirak Çelaj. Në natën e katërt të festivalit do të ketë “stand up show” me aktorët Valina Muçolli, Esat Shabani dhe Hasim Memishi Sopi. Dita e fundit e festivalit do të mbyllet nga Teatri i Kukullave nga Tirana dhe filmi “Gjilpëra…kopshti im” nga Merita Çoçoli – Sali./KlanMacedonia

You may also like