Derbi në vlera/ Partizani superior si skuadër dhe në elementë, Rrapaj më i shtrenjti

by admin
Spread the love

Koha për derbin, me Partizanin dhe Tiranën që “përplasin brirët” për herë të tretë këtë sezon, këtë të premte në Arenën Kombëtare.

Dy përballjet e para kanë prodhuar një fitore të të kuqve dhe një barazim. Me bardheblutë që ende nuk e kanë provuar shijen e fitores kundër rivalëve të përjetshëm në këtë edicion. Diçka që shpresojnë ta bëjnë në takimin e radhës.

Vetëm tri janë pikët që i ndajnë në klasifikim, me opinionin të ndarë mbi çështjen se cila është skuadra më e fortë e momentit. Gjykim subjektiv deri sa përgjigjen ta japë fusha këtë të premte. Por, ndërkohë, për të gjetur një përgjigje më të saktë, atë se cila prej dy skuadrave vlen më shumë në aspektin financiar, të dhënat më të besueshme mund t’i japë faqja e specializuar e transferimeve dhe vlerës së lojtarëve e skuadrave: Transfermarket.

Mjafton një vështrim për të konstatuar se Partizani vlen më tepër. Kampionët në fuqi kryesojnë dhe klasifikimin virtual të skuadrave me organikën më të shtrenjtë në Superiore me një vlerë prej  6.45 milionë euro. Tirana renditet e treta, pas Egnatias që kryeson kampionatin, me klubin bardheblu që në vlerë lojtarësh kap shifrën e 4.25 milionë eurove.

Një diferencë jo e vogël prej 2.4 milionë eurosh, ku gjithsesi duhet marrë parasysh se në skuadrën e Partizanit përllogariten 28 lojtarë. Ndërsa në të Tiranës 22, pra 6 më pak. Për të gjetur elementët më të spikatur në këtë drejtim lojtari më i shtrenjtë i derbit është Arinaldo Rrapaj, me një vlerë kartoni prej 650 mijë eurosh. Te Tirana më i shtrenjti është kapiteni Hoxhallari, kartoni i të cilit kuotohet në 350 mijë euro.

Partizani është superior në këtë drejtim, sidomos sa i përket repartit të sulmit, ku të gjithë protagonistët e kuq kanë një vlerë nga 200 mijë euro e lart. Me Bintsouka më të shtrenjtin me 350 mijë euro, teksa bie në sy rënia e vlerës së Xhuliano Skukës. I cili një vit më parë u shit për 1.4 milionë euro. Aktualisht kuptohet me një vlerë prej 300 mijë eurosh.

Te Tirana, Kristal Abazaj dhe Liridon Latifi llogariten me nga një vlerë prej 250 mijë eurosh për kokë. Duke u kaluar nga Lushkja që si pozicion natyral ka atë të mesfushorit. Partizani më i shtrenjtë në vlerë organike apo elementësh, edhe pse te Tirana shtrëngojnë dhëmbët për të treguar të kundërtën. Pasi derbi dihet, është nga ato sfida të afta të përmbysin gjithçka, edhe klasifikimin./ Shqip


Top Channel

You may also like