Demagogjia politike me drejtësinë | Shqip

by admin
Spread the love
Sefer Tahiri

Politika nga viti 1991 premton drejtësi, por ajo mungon. Çdo parti politike në programin e saj prioritet e ka sistemin juridik, në funksion të së drejtës e jo pushtetit. Por, në praktikë shpesh ndodh e kundërta. Pikërisht politikanët që ditë e natë e kanë gojën plot drejtësi, morën pjesë (jo) drejtpërdrejt në ndryshimet e Kodit Penal, me të cilat ulen dënimet për keqpërdoruesit e detyrës zyrtare, me motivimin se kjo e ul korrupsionin dhe krimin. Tingëllon plotësisht paradoksale!

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

LSDM në opozitë: Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe!

Në vitin 2015 pas publikimit të “bombave” nga bisedat e përgjuara, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut, e mbështetur fuqishëm nga sektori joqeveritar, organizoi protesta në rrugë nën siglën “Revolucioni laraman”. Motoja kryesore e tij ishte “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, ndërsa në protesta dhe në debate eksponentët “revolucionarë” deklaronin se zyrtarët e përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion do të “shtrihen në burgje”, sepse këtë e kërkon populli. Pikërisht mbi bazën e këtij premtimi, qytetarët e mbështetën këtë parti në dy mandate qeveritare. Shumë ekspertë komentonin se “Drejtësia po vjen” dhe se formimi i Prokurorisë Speciale është një hap drejt ardhjes së saj. Madje, Katica Janeva u quajt Silvia Konti – simbol i luftës shtetërore kundër mafies italiane.

LSDM-ja në pushtet: Të ulen dënimet kundër krimit!

Pasi erdhi në pushtet Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut, filloi aksioni kundër krimit dhe korrupsionit, por jo me vrullin e pritur. Prokuroria Speciale filloi fuqishëm, por gjykatat bënin obstruksione të hatashme. Ata u bënë mburojë për padrejtësitë, shfaqnin voluntarizëm të madh, duke vepruar si “shtet në shtet”. Fundi i Prokurorisë Speciale, e themeluar me shumë entuziazëm do të jetë tragjikomik. Prokurorja e shpresës, Katica Janeva, e cila duhej ta luftonte krimin, u përfshi në skandal krimi dhe përfundoi në burg.

Së fundmi, vetë LSDM-ja, nga një parti që premtonte drejtësi, u shndërrua në një parti, e cila ul ndjeshëm dënimet e Kodit Penal, në veçanti ato për bashkim kriminal, kjo me arsyetimin se dënimet janë të larta dhe nuk i kanë dhënë efektet e duhura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Me fjalë tjera, socialdemokratët u bën “pishmanë” për drejtësinë!

Standardet e dyfishta të Aleancës për Shqiptarët

Aleanca për Shqiptarët nga opozita u fut në pushtet, në emër të integrimit të vendit në Bashkimin Europian, sidomos reformave në sistemin gjyqësor, ndërsa pikërisht për këtë qëllim e kërkoi dhe e mori Ministrinë e Drejtësisë. Lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, në këtë periudhë, nuk e kishte ndarë mendjen. Edhe pse Ministria e Drejtësisë është propozuesi formal i ndryshimeve, ministri Krenar Lloga iu shmang përgjegjësisë dhe nuk e vendosi firmën në ndryshimet e propozuara, me arsyetimin se nuk pajtohet me to. Natyrisht se dorëheqje nuk dha! Madje, nuk e pa të udhës të dalë para mediave dhe të japë shpjegime lidhur me Kodin dhe pse këto ndryshime u futën në Kuvend me procedurë të përshpejtuar dhe me po aq shpejtësi të madhe edhe u miratuan.

Madje, zëvendëskryeministri Grubi ka njoftuar se në seancën qeveritare, në të cilën u është dhënë dritë jeshile ndryshimeve, asnjëri nga ministrat e Aleancës nuk i ka kundërshtuar ato.

Edhe deputetët e partisë së Taravarit, edhe pse janë pjesë e shumicës parlamentare, nuk e votuan kodin e ri, por qëndruan në sallë, duke e siguruar kuorumin e nevojshëm. Pas aktit të votimit, shumë aktivistë të kësaj partie me triumfalizëm absurd trumbetonin në rrjetet sociale se deputetët aleancistë nuk votuan pro.

Përdëftimin e “luhatjes” së Aleancës për Shqiptarët ndaj Kodit penal e bëri nënkryetari dhe deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, i cili vulosi se gjithë partia i mbështet politikat e ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga. “Pas ministrit Lloga qëndron gjithë ASH-ja, sepse në këto momente është e nevojshme kjo gjë. Natyrisht, ne si subjekt i kemi dilemat tona sa i takon strukturës së Kodit Penal, veçanërisht sa i takon lartësisë së disa dënimeve, megjithatë në kuadër të këtyre dilemave ASH-ja vendosi me vendim politik të veprojë ashtu siç veproi.”, tha Aziri.

Aleanca, si parti e ish bllokut opozitar, si duket nuk po arrin të hyjë në “zonën komode” të qeverisjes, prandaj janë bërë edhe zig-zaget e saj lidhur me Kodin Penal. Kjo parti kësaj radhe ishte mes dy zjarreve: si parti e mëparshme opozitare ajo nuk i mbështet ndryshimet, por si parti e etabluar në pushtet, nëse jo me qejf, është e detyruar t’i mbështesë. Pak a shumë, një hamletizëm politik!

VMRO-DPMNE-ja e siguroi kuorumin parlamentar

Partia djathtiste maqedonase, e cila është në opozitë, VMRO-DPMNE, edhe pse deklarativisht u shpreh kundër ndryshimeve në Kodin Penal, pikërisht deputetët e saj siguruan kuorumin. Madje, nga 44 deputetë sa numëron kjo parti, vetëm 36 votuan kundër, që i bie se 8 deputetë të saj nuk votuan fare, që praktikisht do të thotë se pajtohen me ndryshimet ligjore. Ky numër, madje, është vënë në konotacione më të gjera politike, duke u parë si kuantum që mund të sigurojë 80 votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, që tani për tani është në kuadër të “operacioneve” të aritmetikës parlamentare.

S’ka amnisti për Gruevskin, ulen dënimet për bashkëpunëtorët e tij!

Në media u tha se ndryshimet e Kodit do ta kthejnë ish kryeministrin Gruevski nga Budapesti, por Bashkimi Demokratik për Integrim siguroi se kjo nuk do të ndodhë as në ëndërr. Kjo parti, për dallim nga Aleanca, ndryshimet i mbrojti fuqishëm, duke e hedhur poshtë mundësinë e amnistisë për kriminelët e dënuar nga sfera politike. Kjo parti në disa mandate ka drejtuar me Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare konstatojnë se drejtësia mungon në vend, gjyqësori është joefikas dhe punon në diktatin e politikës. Nuk janë të paktë as personat që vuajnë burgim, por pa dëshmi të fuqishme, madje edhe duke qenë të pafajshëm si rasti “Alfa” e shumë të tjerë.

Drejtësia e munguar e zbraz vendin

Në gjithë këto 32 vite të pluralizmit, Maqedonia e Veriut vuan nga mungesa e drejtësisë, nga mungesa e gjykatave, që gjykojnë drejt dhe pa ndikim të politikës, pa presion nga opinioni publik, por vetëm bazuar tek dëshmitë, tek e drejta e garantuar me ligjet pozitive të vendit. Mungesa e drejtësisë ka qenë shkaktare që shumë jetë njerëzish të humben, të përjetojnë fatet e (pa)drejtësive në komunizëm, shumë familje të shkatërrohen dhe shumë qytetarë, sidomos të rinjtë, të humbin shpresat dhe të nisen drejt Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Drejtësia e munguar, natyrisht se edhe gjendja e vështirë në arsim, shëndetësi, administratë, shërbimet publike, ambient jetësor, me një fjalë cilësia e jetesës, janë shkaktarët kryesorë që sot të rinjtë ikin masivisht. Përderisa të rinjtë mbushin aeroplanët dhe autobusët, gjykatësit i rritën pagat e tyre mujore për 78 për qind. Edhe politikanët e pushtetit i rritën pagat dhe, në anën tjetër, i ulën dënimet për veprat e ndryshme penale. /revistashenja

You may also like