DAVOS – Nis Forumi Ekonomik Botëror, lufta dhe recesioni në qendër të vëmendjes

by admin
Spread the love

DAVOS, 17 janar /ATSH-DPA/ – Lufta në Ukrainë dhe kërcënimet e një recesioni global pritet të mbizotërojnë sot në ditën e parë të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), në Davos.

Fjalimi i Klaus Schwab, i cili themeloi forumin në vitin 1971, në qendër të vëmendjes së konferencës së këtij viti, do të pasohet nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kontinenti po përballet me kriza të mbivendosura, mbi të gjitha me pasojat e pushtimit rus të Ukrainës dhe një ndërthurrje të dhimbshme të inflacionit të lartë dhe rritjes së dobët ekonomike.

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska,  gjithashtu pritet të japë një mesazh qindra liderëve politikë, politikëbërësve dhe shefave ekzekutivë, të mbledhur në qytetin turistik zviceran të skive.

Ministrja ukrainase e Ekonomisë, Julia Svyrydenko gjithashtu do të marrë pjesë sot në forum, si dhe presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i cili kohët e fundit premtoi se do t’i dërgonte Ukrainës tanke luftarake “Leopard”.

Presidenti kinez, Xi Jinping nuk do të marrë pjesë këtë vit, por vendi do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Liu He. Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, kryeministrja finlandeze, Sanna Marin dhe kreu i Organizatës Botërore të Tregtisë, Ngozi Okonjo-Iweala gjithashtu, do të marrin pjesë në forum.

“Kriza e kostos së jetesës, vështirësitë e lidhura me energjinë dhe furnizimin me ushqime, janë kërcënimet më të mëdha afatshkurtër në botë”, paralajmëroi WEF në raportin e saj vjetor të Rreziqeve Globale, pasi shumica e ekonomistëve parashikuan një recesion mbarëbotëror në vitin 2023./  /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like