COP28 – Kryenegociatori i BE-së: Draftdokumenti për ndryshimet klimatike qartësisht i pamjaftueshëm

by admin
Spread the love

DUBAI, 11 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kryenegociatori i Bashkimit Evropian për Klimën, Wopke Hoekstra, dha një gjykim të ashpër ndaj draftdokumentit aktual të deklaratës përfundimtare të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Dubai.

“Dokumenti është qartësisht i pamjaftueshëm dhe jo adekuat për të adresuar problemin”, u tha Hoekstra gazetarëve në Dubai.

Ai shtoi se shkencëtarët ishin të qartë për atë që nevojitet për të trajtuar ndryshimin e klimës.

“Heqja e karburanteve fosile është në krye të axhendës së Bashkimit Evropian”, tha Hoekstra.

Në draftdokumentin e publikuar pak më parë, nuk përmendet më fare heqja e naftës dhe gazit, e diskutuar ashpër, ndryshe nga një version i mëparshëm.

“Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis heqjes dhe qëllimit për të nxjerrë tokën dhe njerëzit nga rruga e keqe”, tha ai.

“Ne thjesht nuk mund ta pranojmë draftdokumentin në formën e tij aktuale”, tha Hoekstra duke shtuar se delegacioni do të negociojë për aq kohë sa duhet.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like