Çfarë lexojnë sipërmarrësit shqiptarë? – Shqip

by admin
Spread the love

Në një gjykim objektiv, sipërmarrja është një angazhim për të zhvilluar, organizuar dhe menaxhuar një biznes, së bashku me rreziqet e tij, në mënyrë që të grumbullojë disa fitime.

Ndërsa në një aspekt subjektiv, sipërmarrjen mund ta krahasojmë me një lule të shëndetshme dhe ngjyra të ëmbla (llojin e lules zgjidheni vetë) me rrënjë të shumta që e ndihmojnë të ushqehet. Prandaj, detyra juaj si sipërmarrës është ta ushqeni këtë lule vazhdimisht me dije.

Librat na tregojnë mënyra të reja të të menduarit, na ndihmojnë të kalojmë momentet e vështira dhe na mësojnë se si të bëhemi njerëz të suksesshëm në fushën e biznesit. Po sipërmarrësit shqiptarë?! Çfarë marrëdhënie kanë ata me librat, të lexuarit, të nxënët? Këta sipërmarrës na kanë treguar më shumë.

Samir Mane

Ka shumë libra që kanë ndikuar në suksesin e tij, dy nga më të rëndësishmit të lidhur me profesionin janë ‘Biografia e Sem Walten’, themelues i Walmart dhe një libër i Jack Welch Ceo i General Electric dhe një nga më të famshmit të botës. Ai gjithashtu pëlqen dhe lexon literaturën e Milton Friedman dhe Friedrich Hayek, dy njerëzit më të njohur për mbrojtjen e tregut dhe ekonomisë së lirë.

                                                                                  Antonela Hako

Antonela Hako është bashkë-themeluese dhe qëndron në krye të departamentit të shitjes dhe marketingut në “Hako sh.p.k”, një nga kompanitë më të mëdha të sallamit në Shqipëri dhe Rajon. Për BusinessMag, Antonela tregon se nuk është fanse e romaneve, por i pëlqen të lexojë kryesisht libra të degës së marketingut. Momentalisht ajo është duke lexuar “Marketing 3”, një libër që shkon përtej mesazheve të klientëve, duke përfshirë mënyrat sesi i përcakton dhe i mishëron vlerat e saj një kompani për një shumëllojshmëri riskuesish.

Eglent Bici

Eglent Bici është themelues i Mei Realty, një agjensi që operon në tregun e pronave të paluajtshme. Ai gjithashtu është një Trajner Suksesi, që gjen kohë për të lexuar pafund libra. Këto janë disa nga librat që ai sugjeron për ju:

“Mendo dhe Bëhu i Pasur”, nga Napoleon Hill. Libri 80 vjeçar është ndër të preferuarit e sipërmarrësve kudo në botë.

“Baba i pasur, baba i varfër”, nëse nuk e ke lexuar këtë libër më parë, bëje sot. I shkruar nga Robert Kiyosaki, ai vlerësohet si një nga librat më motivues, edhe nga vetë Bill Gates.

“Sappiens”, një histori e shkurtër e njerëzimit, është një libër i shkruajtur nga Yuval Noah Harari. Ky libër do t’ju suprizojë me të panjohurat e njerëzimit dhe do të jetë një shoqërues i mirë për muajt e verës.

“Unshakeable” nga Tony Robbins, i cili u ofron lexuesve hapat e posaçëm që mund të zbatojnë për të mbrojtur investimet e tyre duke maksimizuar pasurinë e tyre.

“Principles”, Bestseller-i numër 1 i New York Times. Autori Ray Dalio, një nga investitorët dhe sipërmarrësit më të suksesshëm në botë, ndan parimet e pazakonta që ai ka zhvilluar dhe përdorur gjatë dyzet viteve të fundit për të krijuar rezultate unike në jetën dhe biznesin dhe që çdo person ose organizatë mund të adoptojë.

                                                                                                                                             Linda Shomo

Për tashmë 11 vite, Linda Shomo është themeluese dhe drejtuese e kompanisë së pagesave online Easy Pay. Libri që ka vjedhur vëmëndjen e saj në këtë periudhë është ‘Finding my virginity’ (autobiografia e re) nga personazhi i saj i preferuar Richard Branson.

Ndërkohë preferencat e saj puqen shumë dhe me librat e Malcolm Gladwell dhe lexon çdo libër që ai boton.

Ajo na tregon se së fundmi ka blerë librin që bëri shumë bujë, ‘Fire and fury’ nga Michael Wolff. Një bestseller i New York Times, ku dokumentohen të gjitha prapaskenat dhe bisedat brenda Shtëpisë së Bardhë të Trump.

“Unë e dashuroj leximin, por koha që kam për të shpenzuar për të është gjithnjë e më e vogël. Edhe kur kam 1 apo 2 orë të lira në ditë, lexoj artikuj në internet rreth zhvillimeve në sektorin ku punoj,” tregon znj. Shomo për BusinessMag.

Alketa Vejsiu

Një prezantuese dhe autore programesh shumë e suksesshme, Alketa Vejsiu është dhe menaxhere në biznesin e saj “Class nga Alketa Vejsiu”, kompania për planifikimin e martesave dhe menaxhimin e eventeve.

E pyetur në Startup Grind për marrëdhënien me librat Alketa përgjigjet: “Librat janë ushqim i përjetshëm i njeriut. Libri i fundit që unë ka lexuar është ‘Jeta e Sofia Loren: Dje, Sot, Nesër’.”

Ajo tregoi se vazhdimisht lexon pasazhe nga libra profesionalë për menaxhimin dhe marketingun. “Unë çdo mbrëmje mundohem të lexoj nga një faqe libri, sepse të lexuarit është frymëzim.”  Ndërkohë për publikun Alketa sugjeroi librin e fundit nga Timo Flloko, një vëllim me poezi të zgjedhura.

                                                                                                                                                Edona Bilali

Edona është administratore dhe bashkëpronare e kompanisë “A-Z consulting”, por njëkohësisht edhe një e apasionuar pas librave. Për këtë sezon veror ajo ka zgjedhur librin e Stephen R. Covey “7 zakonet e njerëzve të suksesshëm”.

Libri ofron leksione të fuqishme për ndryshimin individual bazuar mbi ato që autori i përcakton si zakonet e domosdoshme për të qenë një njeri i suksesshëm. Ky libër i mrekullueshëm konsiderohet si një libër që mund të të ndryshojë jetën….

E pyetur për titujt që ajo pëlqen më shumë, Edona na rendit disa:  “Kush ma ka lëvizur djathin?” (Who moved my cheese?) është një rrëfim i çuditshëm, i fokusuar mbi katër personazhe që jetojnë në një labirint dhe kërkojnë “djath” për t’u ushqyer e për të qenë të lumtur.

“The one minute manager”, një libër shumë i shkurtër nga Ken Blanchard dhe Spencer Johnson. Ky vëllim rrëfen një histori, duke treguar tre teknika të një menaxheri të efektshëm: qëllimet një minutëshe, lutjet një minutëshe dhe vërejtjet një minutëshe.

Ajo sugjeron gjithashtu dy tituj shumë të njohur “Secrets of power negotiation” dhe “Why nations fail”. (Business Magazine Albania)

You may also like