Bundestagu mbështet Maqedoninë e Veriut

by admin
Spread the love

Në prag të ndryshimit të kushtetutës ne Maqedoninë e Veriut, Parlamenti Gjerman miratoi një rezolutë të posaçme për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut në BE.

Situata në vendet  e Ballkanit Perëndimor ishte në qendër të një debati të Bundestagut të enjten, më 15 qershor 2023. Grupet parlamentare të koalicionit të qendrës së majtë, SPD, Aleanca 90/Të Gjelbrit dhe FDP, dorëzuan një mocion të titulluar “Mbështesim në mënyrë aktive Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimin Evropian, i cili u votua me votat e shumicës pas një debati gjysmë ore.

Ministrja e shtetit për Evropën, Anna Lührmann, në hyrje të fjalës së saj, theksoi rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, dhe me një thirrje ndaj palëve të përfshira në Kosovë dhe Serbi: „Stabiliteti në rajon mbetet i brishtë. Kjo është reflektuar aktualisht në situatën shqetësuese në veri të Kosovës. I bëj thirrje aktorëve të përfshirë. Ndaloni spiralen e përshkallëzimit!”

Lührmann: Amendamenti thekson karakterin shumetnik të Maqedonisë së Veriut

“Amendamenti kushtetues aktual në Maqedoninë e Veriut, ku përfshihen pakicat e reja, është i rëndësishëm dhe ka nevojë për mbështetje, por ai nuk është pa polemika”, tha ajo. „Kjo edhe për faktin se popullsia atje ngadalë po humbet besimin në perspektivën e BE-së. Ne duhet të punojmë së bashku për të rivendosur besueshmërinë e BE-së. Ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë tona për t’i inkurajuar partnerët tanë në Maqedoninë e Veriut që të ndërmarrin këtë hap të rëndësishëm”, tha ministrja gjermane, e cila ndodhet para një udhëtimi në Shkup së bashku me homologët e saj nga Franca dhe Polonia.

Sipas një kompromisi të arritur nga Këshilli me Maqedoninë e Veriut në verën e vitit 2022, një parakusht për fillimin e grupit të parë të negociatave të integrimit është një amendament kushtetues që parashikon përfshirjen e grupit të popullsisë bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut krahas grupeve të tjera të përmendura tashmë. Amendamenti kërkon një shumicë prej dy të tretash në parlamentin e Maqedonisë së Veriut. „Emërtimi i pakicave të ndryshme në kushtetutë jo vetëm që forcon mbrojtjen e pakicave, por edhe karakterin shumetnik të Maqedonisë së Veriut, çka është model për të gjithë rajonin”, tha ministrja e shtetit.

Mijatoviç per DW: Maqedonia e Veriut shembull ne rajon

Më parë, edhe Boris Mijatoviç kishte thënë në një intervistë për  DW se përse Maqedonia e Veriut shërben  si shembull për Ballkanin Perëndimor:

„Ne kemi argumente shumë të mira pse duam dhe duhet të përfshijmë Maqedoninë e Veriut në BE. Këto argumente përmenden edhe në rezolutën tonë: Vendi po bën punë shembullore në balancimin e interesave të ndryshme që jetojnë në vend. Ai përfshin pakicat në Kushtetutë. Tani po përfshin edhe një pakicë tjetër. Maqedonia e Veriut është një vend shumë interesant në Ballkan për momentin dhe është një detyrë model për ne që ta integrojmë atë në BE.”

CDU/CSU kërkon përfshirje te gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor

Në votë u hodh edhe mocioni i grupit parlamentar më të madh opozitar të qendrës së djathtë CDU/CSU për “Ripërtëritjen e perspektivës së BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor me politikë të përkushtuar” (20/2339), por ai u refuzua me propozim të Komisionit të Punëve të Jashtme. Ne mocionin e CDU/CSU kërkohej një angazhim për integrim në BE, por edhe në NATO të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe ndër të tjera edhe që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos ndaheshin nga njëra-tjetra. Ndër të tjera aty kërkohej edhe që të punohej në kuadër të grupit të shteteve anëtare të BE-së për zbatimin e menjëhershëm të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur.

Veç kësaj në seancë u hodh në votë edhe një amendament i grupi parlamentar të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, AfD, ku kërkohej që të hiqej dorë nga anëtarësimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe t’u ofrohej atyre një partneritet strategjik. Ky amendament iu kalua për shqyrtim  komisioneve këshillimore, kryesuar nga Komisioni i Punëve të Jashtme. /DW


Top Channel

You may also like