BRUKSEL – BE marrëveshje për ndalimin e produkteve të prodhuara me punë të detyruar

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 5 mars /ATSH-DPA/ – Skica e një rregulloreje të re që ndalon produktet e bëra me punë të detyruar u dakordësua nga ligjvënësit e Bashkimit Evropian sot gjatë orëve të para të mëngjesit.

Projektligji u kërkon shteteve anëtare të hetojnë produktet, qofshin të importuara apo të prodhuara në BE, për të zbuluar nëse janë bërë me punë të detyruar.

Nëse hetuesit e një shteti anëtar arrijnë në përfundimin se një produkt është bërë vërtet me punë të detyruar, vendimi për të ndaluar shitjen, importin dhe eksportin e produktit do të zbatohet në të 27 vendet e BE-së.

Marrëveshja u arrit midis negociatorëve për Parlamentin Evropian dhe qeverisë belge, duke vepruar në emër të të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Disa detaje teknike të legjislacionit do të duhet të përpunohen ende në bisedimet e mëtejshme midis asistentëve parlamentar dhe diplomatëve belgë.

Pasi të bëhet kjo, drafti do t’u dërgohet diplomatëve të lartë nga të gjitha vendet anëtare. Nëse ata bien dakord, projektligji duhet të kalojë më pas një votim në komisionet e tregut të brendshëm dhe të tregtisë së parlamentit.

Më pas, do të shqyrtohet nga gjuhëtarët e specializuar të BE-së, përpara se të hidhet në një votim përfundimtar në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e BE-së, ku ministrat votojnë në emër të shteteve të tyre anëtare. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like