BRAZIL – Baerbock: Të rriten përpjekjet për zgjidhjen e krizës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme

by admin
Spread the love

RIO DE ZHANEIRO, 21 shkurt /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock i bëri thirrje G20, ekonomive kryesore që të rrisnin përpjekjet për zgjidhjen e krizës në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

“Ne nuk do ta bëjmë këtë botë më të drejtë nëse nuk i marrim nën kontroll krizat akute”, tha sot Baerbock gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të G20 në Rio de Zhaneiro, Brazil.

Të dy konfliktet pritet të luajnë një rol të madh në takim, i cili vjen vetëm disa ditë para përvjetorit të dytë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

“Efektet e këtyre dy luftërave po godasin më së shumti njerëzit më të varfër në mbarë botën”, shtoi Baerbock.

“Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që G20, përveç çështjeve të drejtësisë, mbrojtjes së klimës dhe luftës kundër varfërisë, të kërkojë mënyra për të arritur paqen në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme”, shtoi ajo.

Rusia, e cila është një anëtare e G20, do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqësohen nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Së bashku, grupi G20 i ekonomive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim përfaqëson rreth 80% të prodhimit ekonomik të botës dhe 60% të popullsisë në botë. Brazili aktualisht mban presidencën. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like