BRATISLAVË – Takimi Lavrov-Blanár ndez kritika brenda qeverisë sllovake

by admin
Spread the love

BRATISLAVË, 3 mars /ATSH-DPA/- Takimi i ministrit të Jashtëm sllovak Juraj Blanár me homologun e tij rus Sergei Lavrov në Turqi këtë fundjavë tërhoqi kritika nga presidentja sllovake, Zuzana Čaputová.

“Takimi i ministrit të Jashtëm sllovak me homologun e tij rus nuk na ka afruar me paqen e drejtë në Ukrainë, të cilën Rusia e ka pushtuar ilegalisht dhe në mënyrë të pajustifikueshme”, shkroi Čaputová në X, dikur Twitter.

“Rruga më e shpejtë drejt paqes është përmes presidentit rus, Vladimir Putin që të urdhërojë trupat e tij të largohen nga Ukraina, dhe jo duke i dhënë atij shpresë për fitoren dhe pranimin e tij”, shtoi ajo.

Čaputová është drejtuesja e forcave të armatosura të Sllovakisë së bashku me rolin e saj ceremonial si kryetare e shtetit.

Blanár, një anëtar i partisë nacionaliste “Drejtimi – Social Demokracia” e kryeministrit Robert Fico zhvilloi dje bisedime dypalëshe me Lavrov në një forum të diplomacisë ndërkombëtare në Antalia, Turqi.

Paraardhësi i tij si ministër i Jashtëm, Miroslav Wlachovský, akuzoi Blanár për “mosrespektim” të viktimave të agresionit rus në Ukrainë, ndërsa media opozitare paralajmëroi se Sllovakia po i kthente shpinën Perëndimit.

“Pa komunikim, kurrë nuk mund të ketë zgjidhje diplomatike për luftërat, dhe pa zgjidhje diplomatike asnjë luftë nuk mund të përfundojë”, tha Blanár në një deklaratë.

Ai shtoi se e kishte informuar Lavrovin për qëndrimin e qeverisë sllovake ndaj luftës, duke theksuar se nuk mund të kishte “zgjidhje ushtarake”.

Ai gjithashtu i kishte bërë të qartë se e drejta ndërkombëtare kërkon paprekshmërinë territoriale dhe sovranitetin e shteteve. //a.i/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like