Bllokada na kushton një miliard euro në vit mbështetje financiare nga BE-ja – Shqip

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar takim me Gabriel Eskobarin, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cili po qëndron për vizitë në vendin tonë.

Osmani dhe Eskobari shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale politike, me theks në dosjen europiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe nevojën e vazhdimit të procesit të negociatave me BE-në përmes zbatimit të ndryshimeve kushtetuese, kumtoi MPJ-ja.

“ShBA-ja ka rol kyç në të gjitha momentet më të rëndësishme politike të brendshme dhe të jashtme të historisë më të re të Maqedonisë së Veriut, duke ofruar mbështetje të fortë për etablimin tonë të suksesshëm si shtet i pavarur, thellësisht i integruar në familjen transatlantike të demokracive moderne dhe funksionale”, tha Osmani, duke shtuar se bllokada e procesit të integrimeve europiane na kushton një miliard euro në vit mbështetje financiare nga BE-ja.

Osmani gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen afatgjatë nga ShBA-ja për proceset e përgjithshme reformuese, duke theksuar se Qeveria dhe institucionet e tjera vazhdojnë të punojnë me përkushtim të fortë për zbatimin e reformave në fushën e qeverisjes së mirë, sundimit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes dy vendeve në kuadër të Dialogut Strategjik, si dhe u diskutua për aleancën në kuadër të NATO-s, me theks në mbështetjen për Ukrainën, si dhe kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, ShBA – Kartën e Adriatikut dhe Procesin e Bashkëpunimit në Europën Juglindore, informojnë nga MPJ-ja.

You may also like