BERLIN – Scholz: Protestat anti-ekstremiste një sinjal i fortë për demokracinë gjermane

by admin
Spread the love

BERLIN, 3 shkurt /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Olaf Scholz i ka përshkruar demonstratat e shumta të planifikuara kundër ekstremizmit të djathtë këtë fundjavë si një “sinjal i fortë” në favor të demokracisë dhe ligjit themelor gjerman, siç njihet kushtetuta.

“Qoftë në Eisenach, Homburg apo Berlin, në qytetet e vogla dhe të mëdha anembanë vendit, shumë qytetarë po mblidhen për të demonstruar kundër harresës, kundër urrejtjes dhe agjitacionit, edhe këtë fundjavë”, tha sot politikani socialdemokrat (SPD) në platformën X, dikur Twitter.

Kancelari gjerman, kohët e fundit ka lavdëruar vazhdimisht demonstratat në shkallë të gjerë duke mare pjesë në një protestë në Potsdam, në janar.

Prej rreth tre javësh, dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë në të gjithë Gjermaninë për të protestuar kundër ekstremit të djathtë dhe partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në veçanti.

Protestat u shkaktuan nga një raport i grupit gazetaresk investigativ “Correctiv” mbi një takim midis të djathtëve radikalë dhe politikanëve individualë nga AfD, Kristiandemokratët konservatorë (CDU) dhe ultrakonservatori “WerteUnion” në Potsdam në nëntor.

Në takim u diskutuan mënyrat se si një numër i madh i shtetasve të huaj, përfshirë azilkërkuesit, ata që grupi i quajti “qytetarë të pa asimiluar” dhe migrantë me pasaporta gjermane, të largoheshin nga vendi, edhe nën ushtrimin e presionit.

Një protestë prej 100 000 personash është planifikuar sot në ndërtesën e Reichstag, ku ndodhet Dhoma e Ulët e parlamentit gjerman në Berlin.

Demonstratat kundër ekstremizmit të krahut të djathtë do të vazhdojnë në shumë vende këtë fundjavë.

Demonstrata me disa mijëra pjesëmarrës janë paralajmëruar edhe në qytetin verior të Hanoverit dhe Dresden në lindje.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like