Belinda Balluku: Duhet të kursejmë, do të ndërpresim ndriçimin në akset kombëtare, bashkitë të fikin dritat e panevojshme

by admin
Spread the love

Ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku, njoftoi sot se në bashkëpunim me ARRSH, do të nisin ndërprerjen e ndriçimin në akset kombëtare për të kursyer energji.

Balluku bëri të ditur se për shkak të mungesës së reshjeve kaskada e Drinit ndodhet në një moment të vështirë dhe për rrjedhojë është vendosur nga qeveria marrja e disa masave.

“Prej kohësh nuk kemi reshje shiu dhe kaskada ndodhet në një moment të vështirë. Duke nisur që sot importi do të jetë më i madh se prodhimi vendas. Në këtë moment në kaskadën e Drinit punojnë vetëm dy agregatë, ndërsa kërkesa është 17640 megavat orë. Një shifër shumë e lartë për sezonin krahasuar me vitet e shkuara. Duke pasur parasysh konsumin e lartë. Qeveria ka vendosur të ndërmarrë një sërë masash konsumi duke nisur nga insitucionet publike.

I kemi kërkuar ARRSH që të nis menjëherë nga puna për të bërë ndërprerjet e ndriçimit në akset kombëtare. Do të përmend disa prej tyre: aksi Tiranë-Durrës, Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, Qafa e Kasharit-Rinas, Lin-Pogradec, Korçë-Ersekë. Do të ketë ndërprerje edhe në akset kombëtare në degëzim, siç janë Bypass i Fierit me hyrje dalje, Lezhë-Shëngjin dhe Shkodër-Hani i Hotit. Nuk do të prekim disa pjesë të akseve që cënojnë sigurinë rrugore. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për këtë”, tha Balluku.

Ministrja tha gjithashtu, se u kanë kërkuar bashkive që pas orës 00:00 të ndërpresin ndriçimin e panevojshëm në institucionet e qytetit.

“I kemi kërkuar institucioneve lokale kudo që ndodhen ato për të kufizuar të gjithë energjinë që konsumohen për ndriçimin, ato që nuk janë të domosdoshme. Duke nisur nga ora 12 e mesnatës do tu kërkohen të gjithë bashkive që të fikin ndriçimin që kanë për ndërtesa që nuk paraqesin domosdoshmëri”, deklaroi ministrja.

Ndër të tjera, Balluku theksoi se; në dy javët në vijim nuk pritet të ketë reshje, duke bërë që situata të rëndohet edhe më tej, ku bëri apel që qytetarët të kursejnë.

You may also like