BE-ja mirëpret vendimin e Kosovës dhe Serbisë për targat

by admin
Spread the love

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Serbisë që zyrtarisht të njohin targat e makinave të njëra-tjetrës dhe të heqin plotësisht regjimin e letrave ngjitëse.

“Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe i zotimeve të kaluara në kuadër të dialogut që lidhen me lëvizjen e lirë”, tha përmes një deklarate shefi për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Josep Borrell.

Sipas Borrellit, vendimi i qeverive në Kosovë dhe Serbi për çështjen e targave “dëshmon se arritja e përparimit në avancimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur dhe vë në pah rëndësinë e vazhdimit të punës brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.

“Ky vendim po ashtu përbën hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili përfitojnë qytetarët e rajonit”, tha Borrell.

Më 25 dhjetor, Qeveria e Serbisë vendosi të lejonte makinat me targa RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e shtetit të saj dhe vendimi nis së zbatuari më 1 janar të vitit 2024.

Ndërkaq, më 4 janar Qeveria e Kosovës vendosi që të heqë regjimin e letrave ngjitëse për makinat me targa të Serbisë.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti tha se heqja e regjimit të letrës ngjitëse nga ana e saj “është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.

Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje më 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Makinat ishin lejuar të kalonin, ndërkaq simbolet shtetërore në targa ishin mbuluar me letra ngjitëse.

Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin 5 euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, që detyroi edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.

/REL/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like