Basha me dorë të hekurt, njofton përjashtim edhe të 19 emrave të pezulluar

by admin
Spread the love

Kreu demokrat Lulzim Basha ka njoftuar ditën e djeshme se Kryesia ka përjashtuar nga Partia Demokratike edhe 19 emrat për të cilat u tha se janë pezulluar. Në një intervistë për “Abc News”, Basha u shpreh se nuk ka dritë jeshile për asnjë prej tyre, por nëse ata vendosin të distancohen nga dhuna, vendimi do të vlerësohet përsëri. Sipas tij, nëse këta 19 emra vendosin të mos reflektojnë, do të ngelen të përjashtuar nga partia.

“Nuk ka dritë jeshile për asnjërin. Të gjithë janë përjashtuar nga Partia Demokratike. Të pezulluarit kanë një mundësi të distancohen nga dhuna dhe distancimi i tyre nga dhuna do të vlerësohet nga institucionet e partisë. Mos distancimi i tyre deri në këtë moment flet qartë për fajin e tyre”, u shpreh ai.

Kreu demokrat foli edhe për protestën e 8 janarit për të cilën u shpreh se opozita ishte në vendin e duhur duke bërë detyrën e saj. Ai tha se ish-kryeministri Sali Berisha së bashku me organizatat kriminale që e shoqërojnë ishin në vendin e gabuar dhe me mjete të gabuara. Sipas tij, çdo akt dhune që është në kundërshti me ligjin do të trajtohet si vepër penale.

“Ne ishim në një sesion mbledhjesh normale, në detyrën tonë si opozitarë, si drejtues të Partisë Demokratike dhe asgjë nuk ka penguar, nuk na pengon dhe nuk do të na pengojë të bëjmë detyrën tonë. Nuk ishim ne në vendin e gabuar me mjetet e gabuara, por Sali Berisha dhe organizata e tij kriminale. Çdo akt dhune, çdo akt në kundërshtim me ligjin do të trajtohet siç trajtohet çdo vepër penale nga çdo keqbërës”, tha Basha.

You may also like