Bankat në Shqipëri rritën normat e interesit të kredisë për bizneset

by admin
Spread the love

Tremujori i parë i vitit regjistroi një rritje të lehtë të interesave të kredisë së re për bizneset, si në Lekë ashtu edhe në Euro.

Sipas analizës së fundit të Bankës së Shqipërisë,
norma mesatare e interesit e kredive në Lekë për këtë segment rezultoi 5.8%,
nga 5.7% që ishte në tremujorin paraardhës dhe nga 5.5% që shënonte mesatarisht
dy vitet e fundit.

Megjithatë, analiza e Bankës së Shqipërisë konkludon
se, pavarësisht zhvillimeve të fundit, interesat e aplikuara nga bankat
evidentojnë prime të qëndrueshme rreziku dhe përqasje pozitive të bankave ndaj
ekonomisë. Analiza sipas segmenteve të vëllimit të kredisë tregon një rritje të
lehtë të interesave tek segmenti i kredive mbi 35 milionë Lekë.

Norma mesatare e kësaj kategorie rezultoi 5.9% nga
5.6% që ishte mesatarisht në dy tremujorët paraardhës. Kjo tregon se bankat
kanë rritur disi interesat për ekspozimet më të mëdha, konfirmuar më tej nga
fakti se rritja e normave të interesit është edhe më e theksuar sidomos tek
segmenti i kredive me vlerë më të madhe se 140 milionë Lekë. Interesi i kësaj
kategorie rezultoi 6.5% dukshëm më lart se mesatarja e vitit të kaluar, prej
5.6%.

Edhe interesi i kredisë në Euro i bizneseve regjistroi
një rritje të lehtë këtë tremujor, duke rezultuar 4.9% nga 4.6% që ishte një
tremujor më parë dhe nga 4.5% në vitin 2021.

Ashtu si tek kredia në Lekë, interesat e kredisë këtë
tremujor u rritën kryesisht tek segmenti mbi 250 mijë Euro. Të dy segmentet mbi
këtë vlerë përfaqësojnë kryesisht kreditë ndaj biznesit të mesëm dhe të madh
dhe vlera 5% e shënuar këtë tremujor e afron me nivelet e vërejtura në vitin
2020, vit i ndikuar ndjeshëm nga pandemia.

Edhe kushtet joçmim të kredisë janë shtrënguar, duke
konfirmuar se bankat tregtare ndoqën politika më të kujdesshme kreditimi
kundrejt bizneseve në tremujorin e parë të vitit 2022. Kujdesi i shtuar i
bankave u shfaq veçanërisht në miratimin e kredive të reja për segmentin e
biznesit të vogël e të mesëm. Faktorët e rrezikut që kanë përcaktuar politikat
shtrënguese të huadhënies lidhen me rritjen e çmimeve në tregjet e huaja e të
brendshme, si edhe me pasiguritë që mund të përçohen në ekonominë e brendshme
nga zgjatja e konfliktit Rusi-Ukrainë.

Politikat shtrënguese të kreditimit për bizneset u
reflektuan në standarde, kushte e terma më të shtrënguara, si edhe në rritje të
numrit të refuzimeve në raport me totalin e aplikimeve për kredi.  Krahas shtimit të marzheve, kryesisht në
kreditë me rrezik, bankat i shtrënguan kushtet e termat e përgjithshëm të
kreditimit edhe nëpërmjet miratimit të kredive në madhësi më të ulëta nga ajo e
kërkuar prej bizneseve, si edhe duke shtuar numrin e kushtëzimeve në
marrëveshjet e nënshkruara mes palëve. Ofrimi i mundësisë për zgjatjen e
maturitetit maksimal të kredisë ishte i vetmi instrument që ndikoi bizneset në
kahun lehtësues të kushteve e termave të kreditimit.

Rritja e interesave të kredisë dhe shtrëngimi i
kritereve joçmim për bizneset mund të jetë një sinjal se bankat po faktorizojnë
në çmim rreziqet në rritje të lidhura me inflacionin e lartë në aktivitetin e
bizneseve./Monitor.al

You may also like