ATHINË – Blinken bisedime me Mitsotakis përpara turneut në Lindjen e Mesme

by admin
Spread the love

ATHINË, 6 janar /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u ndal sot në Greqi për bisedime me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis përpara një turneu në Lindjen e Mesme, në një përpjekje per të ndërmjetësuar në luftën e Gazës dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm.

“Përveç tensioneve në rajonin e afërt, politikanët kishin planifikuar të diskutonin për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”, njoftuan transmetuesit grekë.

Athina kishte kërkuar të blinte aeroplanë luftarakë F-35 të prodhimit amerikan në vitin 2022.

SHBA-ja mban një bazë të madhe ushtarake në Souda, Kretë, dhe gjithashtu ka baza te tjera ushtarake në Greqinë qendrore dhe veriore, të cilat janë zgjeruar së fundmi.

“Të dy vendet ishin të bashkuar në përballjen e disa prej sfidave më të mëdha deri më sot”, tha Blinken përpara bisedimeve në ishullin mesdhetar të Kretës.

Kryediplomati amerikan tha se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve janë të rëndësishme dhe nuk kanë qenë kurrë më të mira në 30 vitet e fundit.

Mitsotakis tha se është e rëndësishme që aleatët të qëndrojnë së bashku, që paqja dhe siguria të rikthehen në rajon.

Blinken mbërriti në Kretë pas një vizite në Turqinë fqinje, ku u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrin e Jashtëm,  Hakan Fidan.

Pas vizitës së tij në Greqi, ai do të nisë një turne të zgjeruar në Lindjen e Mesme, i katërti në rajon në katër muaj, me ndalesa të planifikuara në Jordani, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite si dhe Izrael, Bregu Perëndimor dhe Egjipti.

“Gjatë udhëtimit, Blinken kërkon të diskutojë hapat konkretë se si aktorët në rajon mund të përdorin ndikimin e tyre për të shmangur një përshkallëzim të luftës në Gaza”, tha zyra e tij.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like