Arsimi gjithëpërfshirës: parim ligjor dhe sfidë praktike

by admin
Spread the love
Ditar Kabashi

Legjislacioni përkitazi me arsimin, të drejtat e nxënësve, programet dhe standardet e cilësisë, financimi dhe menaxhimi i institucioneve arsimore, trajnimet periodike të mësimdhënësve, zhvillimi profesional, përdorimi i teknologjisë në arsim, përmirësimi i kurrikulës, shkollimi i personave me aftësi të kufizuara etj., janë çështje të cilat pashmangshmërisht e afektojnë sektorin e arsimit në një vend.

Ditar KABASHI, Prizren

Cilësia e sistemit arsimor e përcakton të ardhmen e shteteve. Cilësia e lartë e arsimit i orienton shtetet nga progresi. Megjithatë, krahas përgatitjes së kurrikulave, stafit arsimor dhe infrastrukturës shkollore, parakusht është përfshirja e të gjithë fëmijëve në shkollim. Pa këtë të fundit, të gjitha elementet tjera zhvlerësohen per se.

Gjithëpërfshirja në arsim zë fill në konceptet bashkëkohore të të drejtave të njeriut dhe nënkupton që secili fëmijë duhet të jetë pjesëmarrës në sistemin arsimor, pra ta gëzojë të drejtën për arsimim. Kjo barazi i përfshin edhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Aftësitë e kufizuara mund të jenë të natyrës fizike, mendore ose gjendje me çrregullime të tjera (sikurse është hiperaktiviteti).

Arsimi gjithëpërfshirës është bërë objekt trajtimi edhe në raportet vjetore të Komisionit Europian për Kosovën. Kështu p.sh. në Raportin e vitit 2022, Komisioni Europian kishte potencuar: “Fëmijëve me aftësi të kufizuara u mungon qasja e duhur në objektet arsimore, si dhe asistenca e nevojshme. Për të adresuar këtë problem, qeveria është zotuar të punësojë 100 asistentë për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta, por procesi nuk është finalizuar. Autoritetet duhet ta rrisin mbështetjen financiare për t’i shtuar shërbimet sociale dhe shëndetësore të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe për t’i shtuar përpjekjet për integrimin e tyre në mënyrë efektive në institucionet arsimore”

(https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/kosovo-report-2022_en#details).

Kritika pati edhe në Raportin për Kosovën për vitin 2023. Komisioni Europian nënvizoi se 38.000 fëmijë me aftësi të kufizuara nuk janë të përfshirë në shkollim. Mungesa e infrastrukturës përkatëse pa pengesa, mungesa e përkrahjes adekuate dhe numri i ulët i mësuesve dhe i asistentëve të kualifikuar janë përmendur si shkaqe të gjendjes jo të mirë. Megjithëkëtë, Raporti e konsideroi zhvillim pozitiv vendimin qeveritar për rritjen e numrit të asistentëve, në 100 për vit, ndonëse theksoi që cilësia e arsimit për fëmijët me aftësi të kufizuara vijon të jetë në nivel të ulët (https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/kosovo-report-2023_en).

Veçoritë e arsimit gjithëpërfshirës

Arsimi gjithëpërfshirës i ngërthen disa elemente, të cilat e kuptimësojnë atë. Para së gjithash, lypset njohja dhe vlerësimi i larmisë së nxënësve, gjë që konsiston me faktorët dallues, si: aftësitë individuale të tyre, formimi edukativ dhe metodat e ndryshme të të mësuarit. Për t’u konsideruar gjithëpërfshirës, afërmendsh, e drejta për t’u arsimuar duhet t’u njihet në mënyrë të barabartë të gjithë fëmijëve. Domethënë, qasja e tyre në literaturë, në mësimdhënës dhe në shkolla, duhet të jetë e garantuar. Kur kjo e drejtë realizohet, i hapet udhë edhe përfshirjes aktive të të gjithë nxënësve në procesin mësimor.

Arsimi gjithëpërfshirës ndihmon edhe në bashkëpunimin ndërmjet mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve lidhur me avancimin e kushteve të ndryshme në sistemin arsimor.

Duke marrë parasysh nevojat individuale dhe të ndonjë komuniteti të caktuar, me arsimin gjithëpërfshirës zhvillohen tekstet shkollore, materialet e punës në shkolla, si dhe metodat e mësimdhënies.

Pjesëmarrja e fëmijëve me identitete dhe aftësi të ndryshme në sistemin arsimor kontribuon në integrimin e tyre në mjedise të përbashkëta. Si rrjedhojë e kësaj, përftohet një klimë e respektit të ndërsjellë dhe perceptimit të tjetrit si pjesë e koloritit social. Andaj, arsimi gjithëpërfshirës nuk duhet konsideruar vetëm si çështje e ndërlidhur ekskluzivisht me arsimin, por edhe me marrëdhëniet shoqërore.

Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës

Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 20 nëntor 1989, i përcakton edhe detyrimet e shteteve palë në përfshirjen në arsim të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Së këndejmi, sipas nenit 23 të Konventës, fëmija me paaftësi mendore ose fizike duhet të bëjë një jetë normale dhe të përshtatshme, në kushte që garantojnë dinjitetin e tij, që nxisin autonominë dhe e lehtësojnë pjesëmarrjen e tij aktive në jetën e bashkësisë.

Për më tepër, shtetet ia njohin të drejtën e fëmijës me paaftësi për kujdes të posaçëm dhe nxisin e sigurojnë, brenda mundësive të të ardhurave të disponueshme, dhënien e ndihmës që kërkohet dhe që i përshtatet gjendjes së fëmijës i cili përmbush kushtet, si dhe kujdestarëve të tij, por edhe gjendjes financiare të prindërve të tij ose kujdestarëve të tij. Duke njohur nevojat e veçanta të fëmijës me paaftësi, ndihma e dhënë jepet falas sa herë të jetë e mundur, duke pasur parasysh burimet financiare të prindërve të tij ose të kujdestarëve dhe kjo synon që fëmijët me paaftësi të kenë mundësi efektivisht të marrin arsim, kualifikim, shërbime shëndetësore, shërbime riaftësimi, përgatitje për punësim dhe veprimtari argëtuese, në mënyrë që fëmija të sigurojë një integrim shoqëror dhe zhvillim vetjak sa më të plotë, përfshirë zhvillimin e tij kulturor dhe shpirtëror (neni 23/3).

Korniza juridike vendore

Kushtetuta e Kosovës shprehet se institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj (neni 47/2).

Sipas Ligjit Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës (neni 40/1), qëllimi i legjislacionit është zbatimi i parimit të arsimit gjithëpërfshirës në Republikën e Kosovës si praktika më e mirë në harmoni me normat ndërkombëtare, siç parashihen në Konventën e UNESCO-s për të Drejtat e Fëmijëve (1989), në Deklaratën e Salamankës (1994), Konventën e OKB-së për të Drejta të Personave me Aftësi të Kufizuara (2007) dhe në konventat apo rekomandimet e tjera përkatëse ndërkombëtare.

Sipas ligjit, çfarë nënkupton parimi i arsimit gjithëpërfshirës? Ky parim parasheh që:

– duhen akomoduar në institucione arsimore dhe aftësuese të gjithë fëmijët, pa dallim të kushteve të tyre fizike, intelektuale, sociale, gjuhësore apo të tjera dhe duhen promovuar integrimi dhe kontakti ndërmjet fëmijëve;

– duhet ofruar mbështetja përkatëse bazuar në nevojat intelektuale të nxënësve;

– duhen siguruar ambiente të posaçme arsimore ose shkolla speciale, të cilat arsyetohen vetëm pas vlerësimit të ekspertizës se nuk është praktike të regjistrohet ndonjë fëmijë në shkollën e rregullt publike apo në institucionin e aftësimit (neni 40/2).

Në kuadër të kompetencave të Ministrisë së Arsimit në fushën e infrastrukturës së objekteve arsimore dhe aftësuese bën pjesë edhe ofrimi i ndihmës teknike komunave për të siguruar përshtatshmërinë e ndërtesave shkollore dhe të pajisjeve sipas standardeve ndërkombëtare për shëndet dhe siguri; ndihma për mbrojtje të mjedisit; ndihma për qasje të nxënësve dhe punonjësve me aftësi të kufizuara; dhe sigurimi i pajisjeve ndihmëse për përkrahjen e arsimit gjithëpërfshirës (neni 7/4).

Në anën tjetër, me detyrime ngarkohen edhe organet e pushtetit lokal. Komunat duhet të marrin masa për të mbështetur përfshirjen e fëmijëve në shkolla të rregullta të komunës, përfshirë edhe themelimin e dhomave burimore dhe klasave të përshtatura për nxënësit me aftësi të kufizuara fizike a ndijore (neni 40/3). Në këtë kontekst, sipas vlerësimeve individuale profesionale, komunat duhet të sigurojnë transport falas, të sigurt dhe të përshtatshëm për fëmijët me aftësi të kufizuara ose me vështirësi në mësim, që ndjekin mësimet në shkollë komunale (neni 40/4).

Një e drejtë që njihet në çështjen e arsimit gjithëpërfshirës është edhe vlerësimi profesional. Kështu, secila komunë duhet që vetë ose në bashkëpunim me komunat e tjera të themelojë ekip profesional vlerësues dhe përkrahës për nevojat e posaçme arsimore, të përbërë nga specialistë të arsimit, të punës sociale, të psikologjisë dhe të rehabilitimit, si mbështetje e jashtme për institucionet arsimore dhe aftësuese për të ofruar këshillime dhe udhëzime për mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit (neni 41/1). Duke marrë parasysh parimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe dëshirat e opinionet e prindërve, vlerësimi profesional shqyrton dhe përcakton nëse nxënësi ka nevojë për vijimin e shkollimit special dhe çfarë lloji i mësimdhënies duhet ofruar (neni 41/3).

Domosdoja për arsim gjithëpërfshirës

Legjislacioni përkitazi me arsimin, të drejtat e nxënësve, programet dhe standardet e cilësisë, financimi dhe menaxhimi i institucioneve arsimore, trajnimet periodike të mësimdhënësve, zhvillimi profesional, përdorimi i teknologjisë në arsim, përmirësimi i kurrikulës, shkollimi i personave me aftësi të kufizuara etj., janë çështje të cilat pashmangshmërisht e afektojnë sektorin e arsimit në një vend. Për këtë arsye nevojitet rregullimi i vazhdueshëm ligjor i çështjeve që ndërlidhen me arsimin, i cili duhet të ketë në fokus mbarështimin e sistemit arsimor, duke rritur transparencën dhe efektivitetin. Kjo është e domosdoshme për të avancuar cilësinë intelektuale, materiale dhe infrastrukturore në sistemin arsimor.

Shkollimi është e drejtë e secilit qytetar, pavarësisht identitetit ose aftësive potencialisht të kufizuara që mund t’i ketë ai/ajo. Prandaj, nuk mund të ketë tiparin e sistemit bashkëkohor demokratik arsimi që ofrohet në forma diskriminuese, qoftë edhe në mënyrë pasive, me shpërfilljen e shtetit ndaj nevojave segmenteve të caktuara sociale.

You may also like