Analistët: Raketat ruse mund të kenë efekt të kundërt nga ai që dëshiron Putini

by admin
Spread the love

Një mori raketash ruse që ranë të hënën mbi qytetet anembanë Ukrainës, duke sjellë frikë dhe shkatërrim në zonat që disa muaj patën qetësi relative, janë një përshkallëzim në luftën e Rusisë kundër fqinjit të saj.

Simon Smith, ish-ambasadori britanik në Ukrainë, thotë se raketat janë një akt “kanosjeje psikologjike dhe fizike” nga Rusia. Por, ai thotë se është gjithashtu “një akt i dëshpëruar” nga presidenti rus Vladimir Putin, trupat e të cilit po humbasin territor në terren. Michael Clarke nga Kolegji “King” në Londër thotë se sulmet e së hënës vetëm sa do të rrisin vendosmërinë e Ukrainës për të luftuar.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmet ishin hakmarrje për shpërthimin e të shtunës që dëmtoi urën që e lidh Rusinë me Krimenë, gadishullin ukrainas të pushtuar nga Moska në vitin 2014. Zoti Putin e quajti sulmin në Urën e Kerçit një “akt terrorizmi” dhe u zotua për një përgjigje “të ashpër” ndaj çdo sulmi të mëtejshëm që kërcënon sigurinë e Rusisë.

Simon Smith, një ish-ambasador britanik në Ukrainë, tha se lideri rus po përpiqej të dërgonte mesazhin e llojit “Nuk keni parë gjë akoma” në Ukrainë.

Ambasadori Smith tha se breshëria e raketave ruse në zonat civile ishte “kanosje psikologjike dhe fizike” por gjithashtu “një akt i dëshpëruar” nga një udhëheqës rus, trupat e të cilit po humbasin territorin në pjesë të Ukrainës lindore që Moska i ka aneksuar tashmë.

“Kjo e tregon Putinin në disavantazh” tha Smith, i cili drejton Forumin e Ukrainës në institutin “Chatham House”.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se kishte shënjestruar “komandën ushtarake dhe objektet e komunikimit dhe infrastrukturën energjetike”, por Ukraina akuzoi Moskën për goditje pa dallim mbi zonat civile.

Autoritetet ukrainase thanë se Rusia gjuajti 84 raketa kundër 10 qyteteve, 56 prej të cilave u neutralizuan nga mbrojtja ajrore. Të paktën 12 njerëz u vranë dhe mbi 60 u plagosën në sulmet me raketa, thanë zyrtarët.

“Rusia po kërkon të mposht mbrojtjen ajrore të Ukrainës”, tha për BBC Justin Crump, shefi ekzekutiv i organizatës së sigurisë “Sibylline”.

“Kjo është diçka që ata kanë provuar ta bëjnë gjatë gjithë konfliktit, por kurrë deri në këtë shkallë”.

Crump tha se Ukraina ka të ngjarë të kërkojë më shumë raketa tokë-ajër nga aleatët perëndimorë për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të flasë të martën me udhëheqësit e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara gjatë një video-konference.

Michael Clarke, profesor mbi studimet e luftës në Kolegjin “King” në Londër, tha se sulmet e së hënës, megjithëse brutale, ka të ngjarë të mos jenë një pikë kthese në luftë, “sepse në një farë mënyre, rusët tani janë duke treguar rezultatet më të këqija të tyre”.

Ukrainasit po gjejnë varreza masive dhe prova të torturës si dhe po vazhdojnë hetimet për krime lufte në qytetet e rimarra pasi arritën të largojnë forcat ruse prej tyre.
“Me përshkallëzimin që po bëjnë, gjithçka që ata po arrijnë është të shkaktojnë më shumë mjerim për civilët në Ukrainë, gjë që do të forcojë vendosmërinë e ukrainasve”, tha zoti Clarke.

“Dhe ata gjithsesi po humbasin në terren”.

Bombardimi i së hënës u bë dy ditë pasi presidenti Putin emëroi shefin e forcave ajrore gjeneral Sergei Surovikin në komandën e të gjitha forcave ruse në Ukrainë. Gjeneral Surovikin më parë ka udhëhequr forcat ruse në Siri. Atje u akuza për udhëheqjen e një bombardimi brutal që shkatërroi pjesën më të madhe të qytetit të Aleppos.

Sidharth Kaushal, studiues në Institutin ushtarak të Mbretërisës së Bashkuar, tha se emërimi i Surovikin nuk do të sjellë një ndryshim të madh në fushatën ushtarake të Rusisë.

Ai ka pasur një karrierë që është dëmtuar nga akuzat për korrupsion dhe brutalitet”, tha studiuesi Kaushal.

“E kaluara e tij mund të jetë një paralajmërim se si do jetë qasja e tij. Por, megjithatë, qasja ruse ka qenë tashmë mjaft brutale.”

Andriy Yermak, këshilltar i lartë i presidentit Zelensky, tha se Rusia po kërkonte “të thyente psikologjikisht ukrainasit, për të na bërë të dëshironim që lufta të përfundonte pavarësisht në cilën mënyrë”.

Por Ukraina tha se nuk do të tërhiqej.

Kievi nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin në urën e Krimesë, por, ambasadori i Ukrainës në Britani, Vadym Prystaiko, të hënën e quajti urën objektiv legjitim ushtarak dhe tha se forcat e Kievit do të godasin më shumë vende me rëndësi të lartë ushtarake për Rusinë.

“Ne nuk po synojmë infrastrukturën civile ruse, veçanërisht përtej kufijve zyrtarë të Ukrainës me Rusinë,” tha ai për Radion “Times”.

“Por, për të arritur fitoren, ne do të duhet të shkojmë më tej.”/VOA


Top Channel

You may also like