Alfred Rushaj: Vetingu në politikë duhet zbatuar sa më parë, pastron politikën nga të korruptuarit

by admin
Spread the love

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Alfred Rushaj dje në Këshillin e Legjislacionit ka propozuar sërish që vetingu në politikë të diskutohet së bashku me nismën për zgjatjen e afateve të vetingut në drejtësi. Rushaj tha se vetingu në politikë duhet zbatuar sa më parë pasi është një çështje thelbësore.

Ai u shpreh se duhet bërë dekriminalizimi i plotë i politikës dhe funksionarëve të lartë të shtetit. Teksa citoi disa nga sugjerimet e Komisionit të Venecias, Rushaj tha se ato janë pasqyruar në amendamentet e PD.

“Ky projektligj i shërben dekriminalizimit të plotë të politikës, vetingut ndaj çdo funksionari kushtetues dhe mospërdorimit të krimit për të ardhur në pushtet apo mbajtur pushtetin. Në Shqipëri ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elementeve kriminale. Ju citoj këtu dhe nga Komisioni i Venecias që shkruan se “Për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik duket si një qëllim legjitim” dhe se “skualifikimin që anulon një mandat zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë”. Ka detajim të qartë të subjekteve që do t’i nënshtrohen Vettingut në politikë. Është përcaktuar qartë çfarë do të konsiderohet “kontakt me krimin e organizuar” që passjell humbjen e mandatit apo kufizimin e të drejtës për të votuar”, tha ai.

Rushaj u shpreh se dekriminalizimi në politikë garanton barazi para ligjit teksa shtoi se pastron radhët e politikanëve që mund të kenë qenë të lidhur me krimin e organizuar apo korrupsionin.

“Dekriminalizimi i plotë dhe zbatimi i të njëjtave norma të vetting-ut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar dhe ligjshmërinë e pasurisë, duhet të zbatohet ndaj zyrtarëve të lartë publikë, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, kryebashkiakët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Kjo garanton parimin e barazisë përpara ligjit, dhe përbën një premisë për një qeverisje të pandikuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, duke pastruar nga radhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, individë të lidhur me krimin e organizuar dhe të korruptuar”, u shpreh zoti Rushaj.

You may also like