Abdixhiku: Fukarallëku i Qeverisë Kurti po prodhon tkurrje kolektive

by admin
Spread the love

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, vlerëson se realizimi i investimeve kapitale në vend është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit.

Abdixhiku thotë se as në vitin e dytë të qeverisjes së kryeministrit, Albin Kurtit, asnjë projekt kapital nuk po merr formë, njofton Klankosova.tv.

“Realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit. Po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve, dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. As edhe një shenjë e lënë”.

“Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë”.

Abdixhiku ka drejtuar një sërë kritikash drejtë qeverisë duke thënë se fukarallëku i Qeverisë Kurti po prodhon tkurrje kolektive.

“Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale. S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji – në pothuajse çdo fushë të jetës publike”.

“Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë. Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo” ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social Facebook.

 

You may also like