(VIDEO) Ligji i Shtetësisë, Spasovski: Keni pritur 30 vjet, pritni edhe 3 muaj!

by admin
Spread the love




Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski sot deklaroi se nuk ka asnjë problem me Ligjin për shtetësinë dhe kërkoi që të mos krijohet polemikë se gjoja  ka probleme me këtë zgjidhje ligjore. Spasovski kërkoi nga qytetarët që të kenë durim gjatë procedurës së marrjes të shtetësisë.  Sipas tij është shumë normale të pritet edhe disa muaj në kohën kur ata kanë pritur disa dekada.

OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I BRENDSHËM

“Deri më tani kanë aplikuar rreth 560 qytetarë në Maqedoninë e Veriut që nuk kanë shtetësi, të gjithë të tjerë janë qytetarë që nuk jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe kanë aplikuar për shtetësinë tonë. Kjo procedurë mund të jetë e ngadaltë por kjo procedurë nuk është përmes Ministrisë së Brendshme.  Mendoj se duhet të kemi durim. Nëse nuk ka pasur bazë për marrjen e shtetësisë për 30 vjet, mendoj se për një apo dy muaj nuk është problem të presin për marrjen e shtetësisë”.

Spasovski sqaroi se MPB mbledh të dhëna, pëlqime, mendime nga disa institucione në varësi të bazës mbi të cilën është paraqitur kërkesa dhe kur të mblidhen të gjithë këto të dhëna në fund jepet vendimi. 

Në korrik të vitit të kaluar Kuvendi miratoi Ligjin për Shtetësi, të propozuar nga ish koalicioni Aleancë –Alternativë.  Me anë të këtij ligji synohej zgjidhjen e problemit të mijëra qytetarëve, kryesisht shqiptarë, të cilët edhe 30 vjet nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, nuk kanë arritur të pajisen me shtetësi.

/SHENJA/


You may also like