4 gjëra që duhet të fshini nga kompjuteri para se të largoheni nga puna

by admin
Spread the love
Në teori, ju nuk duhet ta përdorni kompjuterin e punës për materiale personale, por kur kufijtë mes punës dhe jetës personale ngatërrohen, kjo gjë është e thjeshtë të harrohet.

 

Largimi nga puna, në një tjetër punë të re, kërkon shumë hapa. Pasi keni kapërcyer intervistat stresuese të punës, negocimin e ofertës së punës dhe jeni përgatitur për tranzicionin, ka ende një hap të rëndësishëm para se t’i thoni asaj lamtumirë – fshirja e materialeve.

Shpesh manualet e punonjësve përcaktojnë se çfarë mund dhe nuk mund të fshini, për këtë arsye duhet të tregoheni të kujdesshëm që të mos bini në kundërshtim me ato politika – dhe të fshini gjithçka që duhet.

“Punonjësit duhet të bëjnë shumë kujdes të mos fshinë apo të kopjojnë aksidentalisht, apo qëllimisht, materiale në pronësi të punëdhënësit, si e-mail, kontakte, materiale, dokumente, software e gjëra të ngjashme”, – thotë Joanna Grama, zëvendëspresidente e asociuar e Vantage Technology Consulting Group.

“Nëse do të kisha punuar për një projekt të madh, për të cilin do të isha krenare dhe do të doja të përdorja një produkt të atij projekti në portofolin e punës, do t’i kërkoja punëdhënësit një kopje për këtë qëllim. Gjithashtu, do t’u kërkoja atyre të më jepnin leje me shkrim, që të mund ta përdorja kopjen për qëllime të caktuara”.

Por pasi të keni kontrolluar dy herë çfarë mund të fshini dhe të merrni me vete, më poshtë janë katër gjëra që duhet t’i fshini nga kompjuteri juaj i punës, në mënyrë që të largoheni të qetë.

 

  1. Materiale personale, si foto dhe dokumente tatimore

Në teori, ju nuk duhet ta përdorni kompjuterin e punës për materiale personale, por kur kufijtë mes punës dhe jetës personale ngatërrohen, kjo gjë është e thjeshtë të harrohet.

Nëse do të largoheni nga puna, duhet së pari të fshini të gjithë materialet personale, si për shembull fotot familjare. “Në përgjithësi, nëse manuali i punonjësit e lejon, punonjësit duhet të fshijnë materialet personale nga kompjuteri / telefoni i punës përpara se të largohen prej saj”, – pohon znj. Grama.

“Nëse keni ruajtur fotot e fëmijëve në telefonin tuaj të punës, ju duhet t’i zhvendosni ato në hapësirën e memories personale dhe t’i fshini nga pajisja”. Nëse keni shkarkuar dokumente të rëndësishme për t’i printuar në zyrë, sigurohuni që t’i fshini edhe ato. “Në këshillojmë shumë fshirjen e materialeve personale, dokumenteve tatimore, kontakteve dhe fotove personale”, – tha Nick Santora, CEO i platformës së ndërgjegjësimit për sigurinë, Currikula.

 

  1. Kronologjia e browser

Doni që të fshini të gjithë kërkimet e sikletshme në Google? Znj. Grama këshillon të fshini edhe kronologjinë e browser-it (shfletuesit) dhe fjalëkalimet që browser mund të ketë ruajtur për ju.

Te Chrome, zgjidhni “History”, më pas “clear browsing data” e më tej intervalin e duhur të kohës. Te Firefox, pasi të keni zgjedhur “History”, keni opsionin e “clear recent history”.

 

  1. Aplikacione personale, software apo zgjerimet e tyre që keni shkarkuar

 Nëse keni shkarkuar një aplikacion bankar në telefonin që punëdhënësi ju ka dhënë në përdorim, sigurohuni që ta fshini para se të largoheni. Të njëjtën gjë duhet të bëni për gjëra të ngjashme në kompjuterin e punës.

“Nëse keni shkarkuar aplikacione personale, software apo browser extensions për përdorim personal dhe jo për qëllime të kompanisë, duhet t’i fshini edhe nga pajisja e punës”, – këshillon znj. Grama.

“Në ditën e fundit të punës ju duhet të shkëputeni nga të gjithë aplikacionet aktive që përdorni për punë dhe duhet të zbrazni edhe ‘Recycle bin’ të kompjuterit”. Në lidhje me procesin e pastrimit, vlerësoni nëse është e nevojshme të përditësoni adresën e e-mail që përdorni për t’u regjistruar në shërbime apo newsletter.

 

  1. Fjalëkalimet

Nëse e keni përdorur ndonjëherë kompjuterin e punës për qëllime personale, me siguri keni ruajtur ndonjë fjalëkalim. Sigurohuni që para se të largoheni, t’i fshini ato.

“Në pjesën më të madhe të rasteve, kompjuterët e punës përdoren edhe si pajisje personale. Kjo do të thotë se edhe fjalëkalimet apo llogaritë (account-et) në faqet e internetit personale mund të ruhen gjithashtu, nëse nuk i fshini ato qëllimisht nga pajisja”, – tha z. Santora. “Është e këshillueshme që çdo lloj iCloud apo Google Sync të shkëputet, në mënyrë që të mos mbetet asnjë informacion personal tek ish-punëdhënësi juaj”.

/ HuffPost

You may also like