Zjarrfikësit në Turqi luftojnë me zjarret, 48 persona ndodhen në spital

by admin
Spread the love

Zjarrfikësit në Turqi kanë nisur mëngjesin e sotëm duke e luftuar një zjarr në pyll në provincën veriperëndimore të Turqisë, Çanakalasë.

Këto zjarre kishin nisur një ditë më parë, por u përhapën për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta.

Helikopterët dhe automjetet tokësore luftuan këto zjarre edhe gjatë natës. Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikayam tha se më shumë se 1.200 njerëz nga nëntë fshatra u evakuuan në një vend më të sigurt, ndërsa 48 persona kishin nevojë për trajtim mjekësor.

Autoritetet i zhvendosën edhe disa pacientë nga disa qendra mjekësore, përfshirë të moshuar, si masë paraprake.

Pamjet e shfaqura nëpër mediat turke treguan zjarre të mëdha dhe tym mbi kodrat e banuara në veriperëndim të Turqisë. Flakët përfshinë edhe disa shtëpi të braktisura nëpër fshatrat e asaj zone.

Trafiku detar në ngushticën e Dardaneleve, ngushticë që lidh detin Egje me Detin e Zi, u pezullua sërish, tha agjencia e transportit Tribeca, për t’i lejuar helikopterët të mbledhin ujë për t’i shuar flakët.

Vetëm një ditë më parë, tetëmbëdhjetë njerëz u gjetën të vdekur pranë kufirit grek më Turqinë në një zonë malore në veri të Greqisë, e cila është përfshirë nga zjarret në katër ditët e fundit. Dyshohet se të vdekurit ishin emigrantë.

Ekspertët thonë se moti ekstrem po nxitet pjesërisht nga ndryshimet klimatike. Pjesë të Evropës kanë përjetuar temperatura përvëluese dhe janë përballur me zjarre gjatë kësaj vere, por disa vende kanë pësuar viktima në njerëz edhe nga stuhi të furishme dhe përmbytje.

“Ne po shohim në mbarë botën ndryshime të paprecedentë”, tha shkencëtari për klimën në Agjencinë kombëtare amerikane të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA), Gavin Schmidt.

“Valët e të nxehtit që po shohim në Shtetet e Bashkuara, në Evropë, në Kinë, po thyejnë rekorde. Kjo nuk është befasi”, tha ai. /REL


Top Channel

You may also like