Zgjohet Interi, Lautaro dhe Dzeko shkatërrojnë Salernitanën

by admin
Spread the love

Interi rigjen fitoren në kampionat (mungonte prej 4 javësh) dhe shkatërron Salernitanën në “San Siro” në ndeshjen hapëse të javës së 28-të të Serie A.

Pas 425 minutave pa gol, zikaltërit shpërthejnë kundër skuadrës së vendit të fundit, duke shënuar 5 gola në portën e mbrojtur nga Sepe.

Duket se Salernitana i sjell fat Lautaro Martínez, pasi argjentinasi zhbllokohet (nuk shënonte prej tetë javësh, goli i fundit pikërisht ndaj Salernitanës) dhe shënon një tregolësh, ndërsa shoku i repartit Dzeko shënon edhe 2 golat e tjerë të skuadrës zikaltër.

Interi rikthehet fuqishëm dhe ngjitet sërish i vetëm në krye të renditjes së Serie A, në kuotën e 58 pikëve.

Salernitana nis më mirë ndeshjen  dhe i afrohet golit me Verdin, që gjuan jashtë nga shumë pranë. Më pas “çmendet” Lautaro dhe merr rolin e protagonistit. Argjentinasi godet fillimisht traversën dhe më pas zhbllokohet, duke gjetur golin që mungonte prej 8 javësh në kampionat.

“Demi” është tërbuar dhe pas një asisti të Barellas shënon edhe golin e dytë. Pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Lautaro gjen edhe golin e tretë personal dhe të tretin për skuadrën e tij.

Dominimi i ziklatërve është i dukshëm dhe tashmë është radha e Edin Dzekos, që të bëjë protagonistin. Boshnjaku shënon golin e katërt dhe pak minuta më vonë shënon të dytin personal dhe të 5-in për Interin.

Ndeshja nuk ka histori, por në minutat e mbetura është portieri Sepe ai që bën heroin dhe i mohon golin Dumfries dhe Correas.

Foto: Inter Twitter

Itali-Serie A / Java e 28-të

You may also like