Zgjedhjet presidenciale/ Taravari shpalosi katër shtyllat e platformës presidenciale – Shqip

by admin
Spread the love

Maqedonia e Veriut e integruar në rajon dhe Evropë, prodhuese e sigurisë, shteti i së drejtës dhe demokracia konsensuale, janë katër shtyllat e Platformës Presidenciale të kandidatit për President të koalicionit VLEN, Arben Taravari.

Integrimi në Bashkimin Evropian është synimi i padiskutueshëm, dhe si e tillë do të jetë edhe prioriteti më i lartë i Taravarit si President. Kështu tha kandidati Presidencial I koalicionit VLEN gjatë shpalosjes së Paltformës Presidenciale.

“Zotimet e mia kryesore në këtë rrafsh janë se do të kërkoj garanci nga përfaqësuesi i lartë i BE-së që pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë kërkesa shtesë për Maqedoninë e Veriut përtej kornizës negociuese të vitit 2022”, u shpreh Taravari.

Realizimi i ndryshimeve kushtetuese, por edhe Maqedonia e Veriut në nismat rajonale janë në fokusin e platformës presidenciale të Taravarit.

“Do t’i propozoj Kuvendit daljen e menjëhershme të Maqedonisë së Veriut nga nisma Ballkani i Hapur. Po ashtu do të angazhohem për harmonizimin e plotë të politikës sonë me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë”, tha Arben Taravari.

Taravari tha armiku më i madh është sistemi gjyqësor i korruptuar dhe mban peng vendin dhe po e largon rininë dhe se vetëm 2% e qytetarëve besojnë në sistemin e drejtësisë.

“Si President i ardhshëm, zotohem se do t’i kërkoj Kuvendit sjelljen e një pakoje legjislative për reformimin e tërësishëm të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë. Kjo pako duhet të përmbajë ligjin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, reformimin e sistemit për zgjedhjen, avancimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik, si dhe digjitalizimin e plotë të gjykatave”, tha Taravari.

Sipas Taravarit, kriza ekonomike, politike dhe etike kanë polarizuar shoqërinë duke ndikuar në thellimin e ndasive, rritjen e euroskepticizmit forcimin e narrativeve ekstremiste dhe minimin e demokracisë liberale dhe konsensuale.

“Si President i ardhshëm, zotohem se me ndryshimin e ardhshëm të Kushtetutës, do të kërkoj që zgjedhja e Presidentit të bëhet në Kuvend përmes mekanizmit të shumicës së dyfishtë, në mënyrë që Presidenti të jetë përfaqësues i unitetit popullor.

Do të kujdesem që nga Kushtetuta të eliminohet përkufizimi fyes i gjuhës shqipe si “gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve”, tha Taravari.

Taravari zotohet se do të ndërmarr nismë presidenciale për të luftuar për Lirinë e Medias dhe në veçanti dezinformimin pro-rus, duke potencuar se do të mbyllen mediat ruse dhe ato të financuara nga Rusia./tvklan.mk

You may also like