Ylli fiton derbin ndaj Pejës

by admin
Spread the love

Golden Eagle Ylli ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll.

Ekipi nga Suhareka e ka fituar derbin e xhiros së 25-të ndaj Pejës me rezultatin e ngushtë 73:72, të luajtur të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaçi”.

Për Yllin, kjo është fitorja e katërt rresht kurse Peja regjistroi humbjen e dytë. Me këtë fitore, Ylli mbetet i treti në tabelë me 41 pikë, një më pak se Peja që zë vendin e dytë.

Në fakt, Ylli fitoren e siguroi në aksionin e fundit të Pejës, në të cilin nuk arriti të shënoj pikë Larry Thomas. Peja e nisi shumë më mirë ndeshjen dhe e fitoi çerekun e parë (24:15), por Ylli u kundërpërgjigj në dy çerekët tjerë.

Në të vërtetë, Ylli dallimin e bëri në periudhën e tretë që e fitoi 23:10, ndërsa Pejës nuk i kreu punë as fakti që e fitoi çerekun e katërt (20:15) për të evituar humbjen.

Jalen Nesbitt me 16 pikë ishte më efikasi te Ylli, ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe Nate Grimes (14 pikë, 10 kërcime), si dhe Jan Palokaj e Dajaun Graf që kontribuan me nga 11 pikë secili.

Te Peja vetëm tre lojtarë regjistruan pikë dyshifrore kurse më të dalluarit ishin Arian Qallaku e Jimmy Hall që shënuan nga 13 pikë secili.

You may also like