“Xavi nuk ka nevojë për recetat e mia”, Gundogan: Barça luan për Champions League

by admin
Spread the love

Ilkay Gundogan përgatitet që në moshën 32-vjeçare të nisë një nga eksperiencat e tij më të rëndësishme të karrierës teksa u transferua nga Manchester City për te Barcelona.

Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, mesfushori është i qartë për objektivat e tij personalë, por edhe për ato të skuadrës teksa shprehet se Barça është e detyruar të ketë si objektiv trofeun e Champions League. Nga ana tjetër, Gundogan shtoi se mezi pret të luajë me një si Pedri përkrah, duke qenë se bëhet fjalë për një futbollist shumë të talentuar.

“Fjala më e mirë që mund të më përshkruaj mua si futbollist është “përshtatje”. Unë jam një lojtar që luaj në shumë pozicione, edhe te City kam mbuluar shumë role në fushë. Luaj si numër 10, si sulmues fals dhe mesfushor. Besoj se një trajner i vlerëson shumë këto cilësi. Këtu te Barcelona ka një lojtar me të cilin mezi pres të luaj. E kam fjalën për Pedrin, është kaq i ri dhe kaq i talentuar. Ai ka shumë potencial. Luajmë pak a shumë në të njëjtin rol dhe pres që në shumë ndeshje të jemi pranë njëri-tjetrit për të kombinuar. E njëjta vlen edhe për De Jong.

Trajneri Xavi? Dallohet që është i së njëjtës shkollë si Guardiola. Sigurisht, Guardiola ka pasur shumë ndikim në lojën e Xavit dhe është normale. Por, është mbi të gjitha është edhe shkolla e Barcelonës që si parim ka zotërimin e topit, gjetjen e hapësirave, lojën inteligjente dhe të mos humbasësh kurrë topin. Janë gjëra të ngjashme edhe me atë që praktikoja te City ndaj e kam të lehtë të përshtatem.

Sa i përket Champions League, Xavi nuk ka nevojë për “recetat” e mia, është përgjegjësia e këtij klubi që të luftojë për ta fituar këtë kompeticion. Unë fitues i Topit të Artë? As që e mendoj, është një garë mes Erling Haaland dhe Lionel Messi. Nuk shoh askënd tjetër më favorit se ata të dy, ishin autorë të një sezoni të shkëlqyer dhe kanë fituar tituj të rëndësishëm. Mendoj se një prej të dyve e meriton, por jam i lumtur që nuk vendos unë në këtë rast”, u shpreh Gundogan. /Supersport


Top Channel

You may also like