​Xavi: Jam krenar me ekipin tim

by admin
Spread the love

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, vlerësoi fitoren 3-2 të skuadrës së tij në udhëtim kundër Paris Saint-Germain në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve të mërkurën, duke këmbëngulur se kjo tregoi se katalanasit mund të konkurrojnë sërish me skuadrat më të mira në Evropë.

“Ne kishim kohë për t’u përgatitur për këtë lojë dhe gjithçka doli shumë mirë, në mbrojtje dhe në sulm,” tha Xavi pasi goditja me kokë e zëvendësuesit Andreas Christensen në minutën e 77-të i dha Barçës fitoren në “Parc des Princes”. “Ne jemi krenarë për ekipin. Parisi luajti shumë mirë, por ne e mbajtëm kërcënimin e tyre në minimum”, shtoi Xavi.

Raphinha u dha epërsinë mysafirëve në pjesën e parë, por PSG përmbysi rezultatin me golat e Ousmane Dembele dhe Vitinha në gjashtë minutat e para të pjesës së dytë.

Raphinha, megjithatë, goditi me volej në një pasim të Pedrit për të barazuar para golit fitues të Christensen, përcjellë KosovaPress.

“Është një fitore e madhe kundër një prej skuadrave më të mira në botë”, shtoi Xavi, skuadra e të cilit është e pamposhtur në 12 ndeshjet që kur njoftoi se do të largohej në fund të sezonit. “Është shumë e vështirë të mbrohesh kundër kësaj skuadre për shkak të presionit të tyre, por ne e bëmë shumë mirë. Ne jemi vetëm në gjysmë të rrugës, megjithatë, dhe do të jetë shumë e vështirë në Barcelonë”, theksoi spanjolli.

Barcelona po shfaqet në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga viti 2020, kur humbi 8-2 nga Bayern Munich në Lisbonë dhe për herë të parë që nga largimi i Lionel Messi nga klubi.

Kjo është fitorja e parë jashtë fushe e Barçës në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve që nga viti 2019.

You may also like